Kancelarja gjermane Angela Merkel e cila ishte vetëm 35 vjeçe kur ra Muri i Berlinit ka kujtuar disa nga momentet e atyre ditëve, përkatësisht jetës në Gjermaninë Lindore.
Në një intervistë dhënë për mediumin gjerman Der Spiegel, përcjell Telegrafi, ajo ka folur për ëndrrat e saj si një qytetare e Gjermanisë Lindore.
Në fillim të intervistës i është përgjigjur gazetarëve se nëse nuk do të ndodhte rënia e Murit të Berlinit, 30 vjet më parë, si do të ishte gjendja e dy Gjermanive, përkatësisht çfarë do të ishte duke bërë tani ajo.
Në këtë kontekst ajo ka thënë: “Ne sigurisht nuk do të ishim këtu duke biseduar me njëri-tjetrin. Kjo është shumë e qartë”.
“Unë të paktën do të kisha mundur të realizoja ëndrrën time. Në Gjermaninë Lindore, gratë shkonin në pension në moshën 60 vjeç, kështu që unë do të kisha marrë pasaportën time pesë vjet më parë dhe do të udhëtoja për në Amerikë. Pensionistëve u lejohej të udhëtojnë jashtë Gjermanisë Lindore”, ka shtuar Merkel.
Ndërsa në atë se cili do të kishte qenë destinacioni i saj i preferuar, në një rast të tillë, Merkel ka thënë: “(SHBA-ja) sigurisht. Gjithashtu do të kisha kaluar ca kohë duke kërkuar rreth Gjermanisë Perëndimore. Por unë doja që udhëtimi im i parë më i gjatë të ishte në Amerikë për shkak të madhësisë, larmisë dhe kulturës së saj. Doja të shihja Malet Rocky, të hipja nëpër një makinë dhe të dëgjoja Bruce Springsteen. Kjo ishte ëndrra ime”.
Dhe kur ka folur për rrugëtimin në Amerikë, ajo thotë se nuk parapëlqen veturat e mëdha.
“Jo, preferoj vetura më të vogla. Por me siguri do të kishte qenë diçka më e mirë se një Trabant”.
Duke kujtuar atë kohë, tanimë kancelarja Merkel ka thënë se bashkimi i Gjermanisë ishte formuar nga Lindja dhe Perëndimi, dhe aftësia politike e Helmut Kohl dhe besimi që ai gëzonte me aleatët luajtën një rol të rëndësishëm.
“Por revolucioni paqësor dhe 9 nëntor 1989 ishte punë e qytetarëve të RDGJ. Ne jemi të lumtur ta ndajmë atë, përfshirë gëzimin, por ajo u bë nga qytetarët e RDGJ me një guxim të madh”, ka thënë tutje Merkel.
Ndryshe, siç shkruan express.hr, përcjell Telegrafi, Angela Merkel lindi në Hamburg në viti 1954 dhe tre javë pas lindjes së saj, babai i saj u zhvendos në Gjermani Lindore me gjithë familjen e tij.
Babai i saj, Horst Kasner, ishte një pastor, dhe u transferua në RDGJ, sepse ai dëshironte të krijonte një komunitet të fortë protestant atje, me një dëshirë të fortë për të qenë rreptësisht i ndarë nga shteti.
Atë verë, kur Muri u ngrit në vitin 1961, Angela dhe prindërit e saj ishin me pushime në Bavari, me gjyshen e tyre, e cila jetonte në Hamburg.
Në rrugën e kthimit, ata panë ushtarë që përhapnin tela me gjemba dhe ishte pushimi i fundit i gjyshes me familjen e saj.
Dhe po sipas Express.hr, kjo ndarje ishte arsyeja kryesore pse Merkel kurrë nuk mundi të identifikohej plotësisht me jetën në Gjermaninë Lindore.
Ishte kjo mungesë identifikimi që, edhe sot e kësaj dite, e nxiti të ketë një sens të nevojës për të mos folur, kështu që kur njerëzit e Stasi-t iu afruan asaj për të parë nëse ajo mund të punonte për ta, ajo shtirej se ishte shumë e sinqertë dhe e hapur, ose një person që vështirë mund të mbante sekrete.
Ministria për Sigurinë e Shtetit ose Shërbimin e Sigurisë së Shtetit, i njohur zakonisht si Stasi, ishte shërbimi zyrtar i sigurimit të shtetit të Republikës Demokratike Gjermane.
Kjo organizatë është përshkruar si një nga inteligjencat më të efektshme dhe shtypëse dhe agjencitë sekrete të policisë që ka ekzistuar ndonjëherë.
Kështu, ajo arriti të shmangte një ‘karrierë’ në shërbimin sekret komunist, dhe vetë tha në një intervistë se një nga përfitimet e të jetuarit në Gjermaninë Lindore ishte që ajo mësoi kur të heshtte.
Si një shkencëtare e re, ajo kishte përfitime të caktuara, siç është fakti që më 1986 u lejua më në fund të shkonte në Hamburg për martesën e kushëririt të saj.
Kur ajo erdhi atje dhe pa një qytet modern dhe të pastër, trena të shpejtë dhe një ndjenjë lirie midis njerëzve, ajo kuptoi se socializmi dhe komunizmi nuk do të zgjasin shumë.
Merkel studioi fizikë në Leipzig dhe më pas vazhdoi të studiojë në Berlinin Lindor në Akademinë e Shkencave, ku ajo fitoi doktoratën e saj në kimi kuantike.
Discussion about this post