Kush përdor vetëm veshët e sytë për të kuptuar se çfarë ndodh përreth nëpër Shqipëri, do të ketë zënë sytë me duar dhe do të jetë shurdhuar me frikë nga të shtënat e armëve mbi makinën e prokurorit të Durrësit dhe mikut të tij me skedinë penale. Më pas kureshtja e publikut orientohet nga magjia e të panjohurës në këtë histori që ka gjitha elementët e një skenari filmi: shumë para, prona pafund dhe pushtet okult. Për një koinçidencë të rastit, në të njëjtën kohë me këtë histori plot zhurmë e bujë, një tjetër prolog historie u shfaq papritur në Tiranë. Por kur flet kallashnikovi të gjithë të tjerët zakonisht heshtin dhe nuk dëgjojnë atë që mund të qëllojë apo të shpëtojë të gjithë.
Shkruan: Lorenc Vangjeli
Pothuaj askush nuk e dëgjoi krismën tjetër. Pothuaj askush nuk e pa. Pothuaj askush nuk komentoi mbi një nga ngjarjet absolutisht më të rëndësishme të kësaj stine politike. Me lehtësinë e padurueshme që Tirana politike dhe mediatike merret me formën dhe harron thelbin, pakkush mori shënim për një akt jo të rastësishëm politik. Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore lëshoi një paralajmërim nga ata që mund të tronditin tërësisht gjithë skenën dhe skemën aktuale të klasës politike shqiptare. Duke folur për debatet mbi ndryshimin e mundshëm të sistemit zgjedhor dhe për idenë e PD-së për listat e hapura, deputeti socialist tha se, nëse miratohet një propozim i tillë, partia e tij do të kërkonte edhe shkrirjen e koalicioneve. Domethënë, do të kërkonte të sanksionohej që çdo parti të hynte e vetme në zgjedhje, si një mënyrë që të pengonte përfitimin e një partie nga partitë e tjera. Revolucioni i vërtetë në këtë “hile” socialiste – PS pretendon se është siç ka qenë pothuaj historikisht, partia më e madhe në vend – i jep asaj sërish një parafitore në tavolinë. Në mos vetë fitoren, avantazhin në garë sa pa nisur fare gara.
Eshtë vështirë të mendohet që Gjiknuri të ketë hedhur një tezë muhabeti, në një kohë kur të gjithë flasin dhe askush nuk dëgjon tjetrin. Eshtë shumë interesante të vihet re që Rama ka mbajtur frymën sa herë që flitet për një çështje të tillë, por me akt force e vetëbesimi ka thënë të njëjtën gjë që thoshte dikur për reformën në drejtësi: votoni gjithçka që ka të bëjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që do opozita.
Koha provoi se deklarimi i tij i parë është ndoshta deklarata më e rëndësishme e tij politike si kryeministër. Për shumë pak kohë, do të verifikohet dhe vlera e deklarimit të tij të dytë për ligjin zgjedhor.
Në anën tjetër ka heshtje. Lulzim Basha, njeriu më i interesuar për Kodin e ri Zgjedhor, është duke u marRë jo me politikë, por me Real Estate. Jo me thelbin, por me formën e pishinës dhe krahasimin e metrave katror të apartamentit që kishte dhe vilës ku jeton.
Kaq i shpërqendruar është ai vetë dhe partia e tij antikomuniste, sa turin e ri nëpër Shqipëri, e kanë nisur nën sloganin e famshëm komunist në epilog të regjimit. Në fund të viteve 80-të, pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia deklaronte: si është rinia sot, është atdheu nesër! Në mënyrë identike të njëjtën gjë thotë dhe pasardhësi i Sali Berishës në PD. Duke mos u përqendruar tek reforma zgjedhore, duke refuzuar të hyjë në derën që po i hapin edhe pse doli vetë në rrugë, Basha po konsumon pak nga pak një gabim që do t’i kushtojë shumë shtrenjtë nesër. Mungesa e tij në tryezën ku diskutohen rregullat e zgjedhjeve, është padyshim një nga budallallëqet më të mëdha që po konsumon PD-ja, që e lusin të rifaktorizohet dhe refuzon me marrëzi.
Monika Kryemadhi, gjithashtu, ka heshTur për këtë pikë. Instinkti i saj i mprehur që herët në lojërat plot hile të politikës shqiptare, shtuar dhe me këshillën e hershme të ish-kryetarit të partisë së saj, se Bashës nuk i duhet besuar as kur e pyet për orën, e bën atë të jetë plot dyshime. Një mungesë koalicioni e sanksionuar në Kodin Zgjedhor, do të penalizonte më së shumti partinë e saj, njëlloj siç ndodhi në 2017-ën. Dhe do të bëjë gjithmonë e më të vështirë luftën e saj për të mbajtur si faktor përcaktues partinë e saj edhe integruese mes të majtës e të djathtës, edhe pragmatiste për vlerë dhe interes.
Po kështu ka heshtur edhe lista e gjatë e partive të tjera të vogla që janë mbledhur në opozitë jo për shkak të besimit që Iu jep Basha, por për shkak të përzënies kohë pas kohe që ju ka bërë arroganca e Ramës. Kurse lista e deputetëve të tjerë të opozitës plotësuese në parlament që e ka votën me vlerën e prezervativit në këtë legjislaturë – një përdorimësh – bën zhurmë sharre edhe kur i duket se kompozon muzikë klasike.
Paralajmërimi i parë se mund të priten surpriza është dhënë, por pothuaj askush nuk e ka kuptuar se çfarë letrash pritet të luajë dueti Rama-Gjiknuri. Po ndodh si në stuhitë që ngarkojnë tani në vjeshtë Tiranën. Vetëtimën e shohin vetëm pak, shumë pak njerëz. Zhurma vjen më pas. Por ajo është si kambanat që bien vetëm për ata që kanë veshë të dëgjojnë. Se atdheu nesër mund të jetë, siç është opozita sot: kaotik dhe gjysmë i dehur! Dhe me Edi Ramën që do të vazhdojë t’u qeshë të gjithëve nga lart poshtë, me arrogancën e vjetër dhe triumfin e ri të tretë.
Discussion about this post