Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, tha se ndërsa Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ai nuk mund ta trajtojë këtë vend në po të njëjtën mënyrë si Serbinë.
“Unë nuk mund ta trajtoj Bosnjën njësoj si Serbinë, edhe pse Bosnja nuk e njeh Kosovën,” tha Kurti, raporton N1 TV me qendër në Sarajevë.
Kurti ka paralajmëruar negociata për heqjen e vizave për qytetarët e BeH. Ai tha në emisionin Pressing, i cili do të emitohet sonte, se menjëherë do të fillojë bisedimet me Sarajevën për heqjen e vizave, për të cilën tha se prek qytetarët dhe jo politikanët.
“Të gjithë në politikë gjejnë një mënyrë për të zgjidhur problemet e tyre, ndërsa qytetarët, për të cilët duhet të kujdesen këta politikanë, ata vuajnë më së shumti. Prishtina dhe Sarajeva do të krijojnë një urë të re, e cila deri më tani nuk ka qenë, sepse mendoj se edhe boshnjakët në Kosovë, por edhe shqiptarët në Bosnje, ne jemi pjesë e një rajoni,” tha Kurti, duke shtuar se do të kërkojë që të zgjidhë këtë problem.
Discussion about this post