Presidenti i Uruguajit, Hoze Muhika, është ndoshta njëri prej liderëve më të afërt me popullin, nga shumë liderë të tjerë botërorë. Ai e ka epitetin “el presidente mas pobre del mundo”, apo “presidenti më i varfër në botë”, për shkak të sakrificës së tij të pabesueshme!
Ky njeri i pazakontë dhe bujar jep 90 % të pagës për shoqatat bamirëse në vend.
Ai thotë se e bën jetën si shumica e bashkëqytetarëve të tij që e kanë votuar, prandaj nuk më takon që unë ta jetoj jetën si pakica (si ata që janë shumë të pasur).
Edhe gruaja e tij që punon si senatore, po ashtu ndan një pjesë të të ardhurave të saj. Ata dy jetojnë në një shtëpi modeste. Ndërsa, prona më e vlefshme e tyre është vetura Volkswagen që kushton rreth 2.000 dollarë.
Që kur erdhi Muhika në pushtet me 2010, vendi i tij konsiderohet si një ndër vendet më së paku të koruptuara në botë! Nuk është çudi, kur kreu i tyre i shtetit nuk ka llogari bankare, apo ndonjë borxh dhe e gjen kënaqësinë në jetën familjare.
Muhika jeton një jetë shumë të thjeshtë dhe të tërhequr. Ai jeton njësoj si para se të bëhej president dhe refuzon të jetojë në pallatin presidencial. Madje ai refuzoi edhe që të ketë aeroplan presidencial në Uruguaj. Ai tha se Uruguaji është shtet i vogël dhe nuk ka nevojë për aeroplan presidencial, mirëpo në vend të tij kemi blerë një helikopter mjekësor të mirë dhe të shtrenjtë nga Franca, që të jetë në shërbim të popullatës në raste emergjente, si në rast të ndonjë tërmeti apo të ndonjë fatkeqësie tjetër natyrore.
Kohë më parë presidenti i Uruguajit u shfaq në një ngjarje publike me hundë të mavijosur. I pyetur për lëndimin, ai shpjegoi se kjo ndodhi kur e ndihmoi fqinjin që ta rregullonte çatinë e tij pas stuhisë së shiut.
Ai gjithashtu pranoi refugjatë, 100 fëmijë sirianë me familjet e tyre, dhe kur u pyet për këtë vendim të tij se si e kishte marrë kur ende ka të varfër në shtetin e tij?! Ai tha se më këtë do t’u tregojë liderëve të qeverive botërore se nuk mund të shtiren sikur nuk po shohin atë që po ndodh në Siri. Nëse ne nuk mund ta ndalim luftën, nuk do të thotë se ne nuk mund të solidarizohemi së paku me fëmijët. Dhe se të varfër ka në çdo vend të botës, por ka dallim mes të varfërve dhe të varfërve që ikin për shkak të luftës.
Gjatë periudhës së tij udhëheqëse 2010-2015 vendi i tij pati një ngritje të mirë ekonomike dhe rënie të nivelit të varfërisë dhe korrupsionit.
▪ Kjo çka bëri presidenti i Uruguajit është një vlerë shumë fisnike, sepse është njerëzore që askush mos ta harrojë popullin e tij dhe të kontribuojë për të mirën e tij. E është edhe më njerëzore që kjo të bëhet nga elita e atij populli, e sidomos e kreut më të lartë në vend. Jemi dëshmitarë se shumë njerëz posa të zgjedhen liderë nga populli që të punojnë për të mirën e popullit dhe t’ia zgjidhin problemet atij, ata lëre që nuk e bëjnë këtë, por edhe ua vështirësojnë jetën duke i keqpërdorur të mirat e vendit për interesa personale, duke u bërë padrejtësi të ndryshme e duke ua shtuar edhe më shumë problemet që kishin. Duke harruar kështu se me çfarë premtimesh arriten aty dhe se për çfarë i votoi dhe zgjodhi populli.
A nuk është kjo një tradhti e madhe dhe një vepër shumë jonjerëzore ndaj atyre që u besuan?!
Kjo nuk nënkupton që kush nuk e ndan rrogën e tij për popull nuk është human, por së paku secili le ta kryejë punën e tij të cilën ia ka besuar populli.
Rast të ngjashëm si ky e kemi kryetarin e komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili është i njohur për të gjithë, të cilin e shohim se edhe mediet tona shpeshherë e paraqesin si kryetarin më të varfër në Kosovë. Njerëzit e tillë nuk duhet të paraqiten nga mediet si njerëz të varfër, por si njerëz të pasur në shpirt dhe shumë të ndershëm, sepse të paraqiturit e tyre si të varfër, mund ta mbjellë bindjen te njerëzit se nëse jetoni të ndershëm, do të jetoni të varfër.
Nga libri
#Shikues_apo_Ndryshues?
Discussion about this post