Në emisionin Debat Plus sonte ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka pranuar se në të kaluarën ka pasur persona që kanë kërkuar nga ai heqjen e fletëarrestit për Milan Radojçiqin. Ai ka thënë se kjo ka ndodhur në vitin 2018.
“Ka pasur disa tentativa prej disa njerëzve se a mund të vij ai në Kosovë, a mund të dorëzohet e kështu me radhë. Ka pasur disa tentativa mirëpo ne kemi qenë mjaft të vendosur në atë kohë dhe nuk kemi lëshuar pe se edhe s’kemi pasur arsye as bazë ligjore. Po flas për veprimet e mia që i kam marrë”, vijoi Hoxha.
Në pyetjen se ato presione a ishin nga vendorët apo nga ndrkombëtaret, ai ka thënë se ishin nga njerëz nga Kosova.
Në nëntorin e vitit 2018, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion për të arrestuar disa persona si të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Gjatë këtij aksioni u arrestuan disa persona, por Milan Radojiçiq nuk u gjet në banesën e tij.
Milan Radojçiq, është udhëheqësi i grupit terrorist serbë, të cilët e sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e lënë të vdekur jnë polic.
Qëllimi i këtij grupi me në krye Radojçiqin ishte destabilizimi i veriut të Kosovës.