Mos e gjykoni këtë shkrim vetëm nga titulli. Esenca është brenda tij. Gjërat janë serioze, por e tillë nuk po duket edhe qeveria e Kosovës. Taksa duhet të hiqet, reciprociteti duhet të shtyhet.
Shkruan: Berat Buzhala
Nuk kanë kaluar as dhjetë ditë prej kur është zgjedhur Kryeministër, kurse Albin Kurtit i ra hise që qe ditën e parë të zhytët në ujëra të thella dhe të rrëmbyeshme. Kjo nuk ishte shumë e drejë. Zakonisht është njëfar kortuazie që qeverive dhe kryeministrave t’u jepen nja 100 ditë fore, në mënyrë që pastaj t’u gjykohet puna ose mospuna. Ne 100 ditë të lira nuk i kemi pasur që nga viti 1389 kur filluan të vijnë ushtarët e parë osmanë. Nuk i patëm as për Kurtin. Në fakt për të nuk i patëm as 10 ditë.
Filluam ta gjykojmë që javën e parë, që të mos themi që në intervistën e parë, kur ai ndoshta ende nuk e kishte mësuar përmendsh as kodin e hyrjes në kryeministri. Prandaj, deri diku, militantët e tij, ata që besojnë ne të si në një profet, kanë të drejtë nëse mllefosën kur të na shohin ne me thika në dorë në drejtim të tij.
Fatbardhësisht Kurti nuk është i papërvojë. Ai nuk ka qënë kryeministër, mirëpo është marrë me kryeministra që një kohë të gjatë. Që një kohë të gjatë e ka kërkuar edhe fjalën. Që një kohë të gjatë ka thënë që “po të isha unë në vendin e tyre” gjërat do të shkonin shumë më mirë. Që një kohë të gjatë ka thënë që nuk është faji i bashkësisë ndërkombëtare, por është faji i politikanëve tanë që nuk po dinë të dialogojnë, të negociojnë etj. Që një kohë të gjatë ka thënë që këta politikanë janë të shantazhuar, për shkak të korrupsionit, prandaj bëjnë kompromise në kurriz të shtetit.
OK.
Urdhëro të lutëm.
Ky është Richard Grenell. Ky tjetri është Pompeo. Kjo është zonja Merkell, sigurisht po e njihni, kurse ky tjetri është Makron, Presidenti i Francës. Ata atje janë ambasadorët e tyre, që i përfaqësojnë qeveritë e tyre në republikën e tonë. Mund t’u thuash atyre cfarëdo që ke për t’u thënë. Bindi përse duhet të kemi reciprocitet me Serbinë, por shpejt të lutëm sepse nuk premton koha. Jo ne, sepse ne e dimë, por ata, që përvec Kosovës kanë edhe telashe të tjera, që nga Afganistani, Iraku, Egjipti, ngrohja globale, NATO, rrjeti 5G etj.
Të kesh të drejtë nuk mjafton. Në fakt, në raporte me fuqitë e mëdha ekziston rreziku i madh që drejtësia të kthehet në mallkim. Kishin – dhe kanë – të drejtë kurdët. Kishin – dhe kanë – të drejtë palestinezët. Por ia që bota është e mbushur me padrejtësi ndaj të drejtëve.
Është mirë që ta dimë dhe që ta themi se në raportet ndërkombëtare drejtësia është vetëm njëri përbëres në recetën me dhjetëra ose qindra përbërës të tjerë. Drejtësia nuk është as përbërësi e as argumenti kryesor. Ne e dimë që myslimanët në Burma kanë të drejtë. Kanë të drejtë ujgurët në Kinë, edhe myslimanët në Indi. Mirëpo edhe të parët edhe të dytët po i nënshtrohen gjenocidit, kurse pjesa tjetër e botës thjesht e konstaton një gjë të tillë. Por këto fakte shërbejnë më shumë për statistika në raportet e organizatave që merren më liritë dhe të drejtat e njeriut, se sa për ndonjë rëndësi praktike.
Kosova fatbardhësisht kishte shpëtuar si qimja prej tlynit në fund të shekullit të kaluar. Ka të tillë që e kanë paguar një cmim shumë të lartë për liri. Të gjithë ne në fakt, duke pas qënë viktima, e kemi paguar një cmim. Mirëpo nëse e kthejmë kokën rrotull do të shohim se cfarë cmimësh paguajnë të tjerët dhe cfarë po përfitojnë dhe cfarë cmimi paguam ne dhe cfarë përfituam. Dallimi është sikur nata me ditën.
Në dy vitet e fundit ne i jemi nënshtruar një terrori sistematik politik. Kryeprotagonistë të tij ishin Presidenti Thaci dhe Kryeministri i Shqipërisë Rama. Të dytë këta kanë defiluar nga një studio në një tjetër. Na kanë trajtuar si idiotë. Kanë thurrur plane dhe kanë zhvilluar takime në errësirë të plotë. E kanë ofenduar secilin që nuk ka menduar si ata. Kishin shkuar aq larg sa – si duket – duke i joshur për një marrëveshje të shpejtë dhe të lehtë me Serbinë kishin arritur t’i përcanin një pjesë të aleatëve tonë, posacërisht amerikanët me gjermanët dhe britanikët në anën tjetër. Rezistenca në krahun tjetër (ku bëja pjesë edhe unë) ishte mjaft e fortë.
Me mosstransparencën e tyre Rama dhe Thaci kishin arritur që t’i bënin bashkë, kundër vetës, një grup njerëzish, politikanësh dhe gazetarësh, që në rrethana të tjera kurrë nuk do të bëheshin. Më vështirësi të mëdha, jo pa pasoja, Rama dhe Thaci ishin ndalur.
Zgjedhjet e fundit në Kosovës arritën të prodhojnë një realitet të ri. Ai që mund të konsiderohet si Patriariku i opozitarizmit, Albin Kurti, arriti t’i fitojë zgjedhjet. Tash fjalën e ka ai. Për momentin të gjithë janë ndalur. Të gjithë sytë janë në drejtimin e tij. Ai që kishte folur për 20 vjet pa u ndalur, tash nuk po flet. Ose po flet dhe nuk po thotë gjë. Ose po thotë, por jo për esencën e problemit. Thjesht po i shpalosë aftësitë e tij retorike pa ndonjë përfitim konkret për vendin. Po provon që ta injorojë një elefant në mes të dhomës, sic është dialogu me Serbinë që ka për synim final arritjen e një marrëveshje përfundimtare me armikun e pavarësisë së Kosovës.
Shumë prej nesh kemi qënë skeptik që nga fillimi për këtë proces. Spekulimet që ky dialog dhe këto negociata do ta cojnë vendin drejt ndarjes pothuajse askënd nuk e kanë lënë indiferent. Kryeministri i kaluar, z. Ramush Haradinaj, në mënyrë naive e kishte autorizuar Thacin që të merrej me bisedat me Serbinë, sepse, kishte thënë, ai vetë nuk kishte kohë, për shkak të punëve të mëdha brenda vendit. Më vonë e kishe kuptuar se njeriut të gabuar i kishte dhënë fuqi të tepërt. Nuk kemi nevojë që ta ripërserisim gjithë atë cfarë kishte ndodhur pastaj. Ishte shpikur një mekanizëm ad – hoc, sic është taksa, për t’i vënë shkopinj karrocës së dialogut. Të gjithë ne e dimë që mënyra se si është vendosur që t’i vihet taksë mallrave serbe ka qënë fëmijnore dhe qesharake. Sa po thu ti? Unë po them 10 për qind. Pak është 10, unë kisha thënë 30. A ta bëjmë bre 100 për qind? Paj tyben shumë mirë po tingëllon. Hajde pra përhajr na qoftë, le të bëhet 100 për qind. Kështu që kjo taksë ka mundur të jetë 10, ka mundur të jetë 30, e ka mundur të jetë edhe 2000 për qind. Thjesht do të duhej të ishte prezent në atë dhomë dhe të jepje një propozim. Meqë askush nuk ka pasur statistika konkrete, secili propozim do të mund të kalonte. Mirëpo më vonë e pamë që taksa, ose tarifa, shërbeu për krejtësisht tjetër qëllim. Disave prej nesh vazhdimisht na janë dhënë sinjale – prej miqve ndërombëtarë – që të mos lëshonim pe, sepse rreziku i ndarjes edhe më tutje nuk kishte kaluar. Ja pra, kështu, si një dasëm fshati, kaluan dy vjet. Rrokopujë. Njëri thumbit tjetri patkoit. Gjatë kohës kur ujërat filluan të qetësohen në skenën tonë politike, kur PAN’i i humbi zgjedhjet, kur ato u fituan prej atyre që deri dje ishin në opozitë, atyre që madje thonin që taksa ishte thjesht një mjet popullist i asaj qeverie, administrata amerikane, e interesuar për ta zgjidhur problemin e Kosovës, nuk kishte qëndruar duarkryq.
(Vijon nesër)