Importi nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina gjatë këtij viti ka rënë në 6 milionë euro nga 530 milionë.
Ky dallim i madh ka ardhur nga masat mbrojtëse të aplikuara ndaj këtyre dy shteteve, ndërsa, eksporti i vendit tonë është rritur dukshëm me Shqipërinë, kurse Gjermania kryeson në listën e eksporteve në drejtim të Kosovës e pasuar nga Turqia dhe Kina.
Për drejtorin e Doganës së Kosovës, Bahri Berisha të hyrat vazhdojnë me një trend pozitiv në Doganën e Kosovës, pavarësisht vendosjes së taksës 100 për qind, teksa bëri me dije se në vitin 2019, janë rreth 1.2 miliardë euro të hyra ose rreth 4 për qind më shumë se në vitin 2018.
Berisha thotë në një intervistë për KosovaPress, se ndikim në të hyra kanë pasur edhe një mori politikash fiskale, marrëveshjet e tregtisë së lirë me Turqinë, por edhe ndikimi i MSA-së që për çdo vit është duke pasur ndikim në taksën doganore.
Sipas drejtorit të Doganës, nëse merren parasysh të gjitha këto politika, tregon se Dogana vazhdon të tregojë një performancë të mirë të të hyrave sepse ndikimi nga të gjitha këto është rreth 150 milionë euro drejtpërdrejt në taksa nga MSA-ja dhe lirimet për prodhues.
Berisha theksoi se efekti i kallëzimeve penale dhe kundërvajtjeve të zbuluara nga tentim kontrabandimi është diku rreth 10 milionë euro që ka një efekt direkt, ndërsa efekt indirekt është parandalimi i kësaj dukurie.
“Ne si doganë kemi mbledhur para tri-katër vjetëve rreth 950 milionë euro të hyra, sot i kemi rreth 1.2 miliardë euro të hyra, që do të thotë është diku rreth 30 për qind më shumë, kjo pa ndryshime të taksave, por ndryshime ka pasur vetëm në aspektin fiskal, ku janë liruar nga importi, si është MSA-ja, marrëveshjet për tregti të lirë dhe të tjera. Kjo tregon se një shumë e të hyrave është falë kapaciteteve dhe luftimit të ekonomisë joformale dhe kontrabandës. Kemi rezultate të dukshme, sepse është e pa mundur të ketë të hyra nëse nuk luftohet kontrabanda më shumë se rritja ekonomike”, deklaron ai.
Drejtori Berisha pohon se në masat mbrojtëse ndaj Serbisë dhe Bosnjës, sfidë ka paraqitur luftimi i krimeve trans-kufitare dhe kontrabandës, sidomos i këtyre produkteve të cilat kanë tentuar që të kontrabandohen përmes rrugëve malore në sasi të vogla, me automjete të vogla apo në forma të tjera të transportit.
Sipas tij, kanë qenë mbi 300 raste të zbulimit të këtyre kontrabandave përgjatë vitit 2019.
“Më 21 nëntor është bërë një vit i plotë prej vendosjes së masave mbrojtëse ndaj produkteve me origjinë të Serbisë dhe Bosnjës në importin, të themi në 2017 kur ka qenë viti i plotë, se 2018 muaji dhjetor dhe nëntor kanë qenë masat mbrojtëse kemi pasur rreth 450 milionë euro, nga Bosnja rreth 85 milionë euro. Pastaj pas vendosjes së masave mbrojtëse gjatë këtij viti kemi pasur nga këto dy vende rreth 6 milionë euro vetëm import të themi se nga 530 milionë euro që ka pasur import në këto dy vende ka rënë në 6 milionë euro sepse masat mbrojtëse 100 për qind kanë pasur efektin e vet dhe kanë qenë mjaftë të larta për t’u importuar”, thotë Berisha.
Ndërsa, sa i përket raporteve tregtare me Shqipërinë, Berisha thotë Shqipëria është mbi 10 për qind më shumë me eksport në drejtim të Kosovës ose me rreth 270 milionë euro, kurse vendi eksportoi në Shqipëri rreth 80 milionë euro më 2019.
“Produktet shqiptare në tregun Kosovar në baza vjetore janë më shumë për çdo vjet, trendi ka qenë vazhdimisht në rritje i eksportit të Shqipërisë në drejtim të Kosovës ose importi i jonë nga Shqipëria. Nëse krahasojmë para pesë gjashtë viteve kur raportet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë qenë me eksport dhe import nga të dyja vendet kanë qenë më pak se 100 milionë euro, ndërsa sot po flasim se kjo shifër do ta kalon 300 milionë euro në raportet tregtare mes dy vendeve. Ky është një tregues mjaft pozitiv ku edhe produktet shqiptare janë më shumë prezentë në Kosovës po ashtu edhe produktet e Kosovës janë më prezent në Shqipëri”, deklaron ai.
Kurse në raportet tregtare me tregjet e BE-së, ai potencon se vërehet se ka rritje të eksportit me vendet e BE-së dhe me vendet e regjionit.
Sipas tij, shumë kompani kosovare të nivelit të vogël dhe të mesëm kanë filluar të eksportojnë produkte këtë vit në vendet e BE-së. Berisha thotë se ka kompani që ka pasur eksport në vlerë 1 milion euro në tregun e BE-së, por tani eksporti është 1 milion e 300 mijë, kështu që për kompanitë kosovare është një tregues pozitiv, sepse kanë arrit që produktet e tyre t’i vendosin në treg të huaj më shumë, sidomos pijet, ushqimi, dyer, dritare, por edhe produkte të tjera.
“Tash e një vit, është Gjermania e cila kryeson në listën e eksporteve në drejtim të Kosovës apo është vendi top importues që ne importojmë. Pastaj, është Turqia një prej vendeve që ka një rritje për çdo vit mbi 15-20 për qind të produkteve, pasatja është Kina, Shqipëria, Italia dhe kështu me radhë. Këto janë pesë vendet top që ne importojmë më së shumti. Gjermania ndikon normal edhe importi i madh i automjeteve, sepse nëse marrim ne tri kategoritë kryesore që sjellin të hyra për buxhetin Kosovës, janë edhe automjetet e importuara. Mbi 90 për qind të automjeteve që ne importojmë janë nga Gjermania dhe kjo rritë vlerën e produkteve ose vlerën e si top shtet importues.
Ndërsa, për shkak të mos miratimit të buxhetit 2020, Dogana ende nuk ka një projeksion të qartë për vitin 2020, por sipas drejtorit të Doganës do të ketë një projeksion të të hyrave më të lartë, për çka shpreson se në vitin ardhshëm do ta tejkalon shumën e të hyrave prej 1.2 miliardë euro./KsP/
Discussion about this post