Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Pogdani” sot është përuruar libri i autorit, Kemajl Shaqiri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e Kosovës”, libër ky i cili u konsiderua thesar për historinë shqiptare.
Redaktori i librit, Bedri Tahiri tha se me qëllim që ky libër të bëhet i pranueshëm për lexuesit e ka ndarë atë në gjithsej 5 kapituj.
Sipas Tahirit libri i autorit Kemajl Shaqiri ka material të bollshëm që tregon për UÇK-në dhe luftën e saj kundër forcave serbe në Kosovë.
“Autori i vëmendshëm, koloneli Kemajl Shaqiri librin e tij ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e Kosovës’për ta bërë më funksional dhe më të kapshëm për lexuesin kureshtar e ka konceptuar kryesisht në pesë kapituj. Nën një aktivitet ushtarake 91-98, nën dy veprimet luftarake 98-99, tre aktivitetet luftarake në zonën e Drenicës korrik tetor 98’, operacionet luftarake në Koshare dhe Pashtrik, dhe pesë angazhimi në Trupa të Mbrojtjes së Kosovës 99’-2006”, tha ai.
Recensenti i librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e Kosovës”, Hysen Geci tha se libri Kemajl Shaqirit pasqyron vështirësitë e organizimit të luftë karshi armikut shekullor të Kosovës.
Sipas tij përmes këtij libri ofrohen dokumente dhe fotografi me rëndësi historike që dëshmojnë se lufta e UÇK-së nuk kishte vetëm komandantë analfabet por kishte edhe oficerë profesionistë.
“Në librin e kolonel Kemajl Shaqiri vërehet ballafaqimi me vështirësitë e organizimit të luftës me luftëtarë, vullnetarë dhe të atillë të një profesionisti që vullneti i mirë për luftë i luftëtarëve të inkorporohet në sistem profesional të organizimit dhe udhëheqjes së luftës kundruall një armiku të pajisur mirë me mjete dhe pajisjes profesionale. Luftimi i një armiku që kishte një ushtri rregullt profesionale me një logjistikë të jashtëzakonshme dhe me një përvojë luftëtare në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë…Në librin e tij autori Kemajl Shaqiri përveç përjetimeve të tij personale, përvojat, ballafaqimet dhe sfidat organizative dhe dëshirën e madhe të luftëtarëve për të luftuar armikun e tyre shekullor vë në pah edhe angazhimin e tij profesional në ato kushte të cilat për secilin oficer janë pothuajse të pamundura që të shndërrohen nga një guerile në formacion gjysmë ushtarak në një formacion ushtarak siç u bë edhe UÇK-ja në vazhdimin e saj”, tha Geci.
Kurse, autori i librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e Kosovës”, Kemajl Shaqiri tha se këtë libër është përpjekur ta shkruar sipas kronologjisë të ngjarjeve që kanë ndodhur para dhe pas luftës.
Shaqiri tha se këtë libër ia ka kushtuar babait të tij të ndjerë , i cili u vra nga forcat serbe.
“Ky libër më tepër është i shkruar në gjuhën profesionale ushtarake por me qartësimin e ngjarjeve nëpër etapa të ndryshme. Librin ia kam dedikuar babait tim, Ibush Shaqiri i vrarë më 29 mars 1999…Ky libër është shkruar me metodologjinë e parë me sy e përjetuar shpirtërisht dhe e shkruar në letër, po të vazhdoja të shkruaja do dilte 3 mijë faqe me detaje mjafton që është“, tha Shaqiri.
Në fund Shtëpia Botuese “Lena Grafik” e nderoi autorin me mirënjohje për kontributin e dhënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post