Revista ‘Forbes’ ka botuar një listë të vendeve që përballen me një recesion në vitin 2020, në mes të një ngadalësimi në ekonominë globale që ka bërë që bankat qendrore në të gjithë botën të ulin normat e interesit afër zero ose edhe më të ulëta në përpjekje për të nxitur rritjen.
I pari në listë është Hong Kongu, i cili pas pesë muaj protestash, ka hyrë në një “recesion teknik”, ndërsa industri të tilla si turizmi dhe shitja me pakicë janë veçanërisht të prekura nga trazirat e vazhdueshme, transmeton KosovaPress.
Pason Britania e Madhe, ekonomia e së cilës po përballet me një situatë të pasigurt me daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. Ky vend kohët e fundit regjistroi rënien e parë ekonomike që nga viti 2012, dhe në rastin e Brexit mund të përfundonte në recesion pa marrëveshje, thuhet në ueb-faqen e ‘Forbes’.
Ndër vendet që kërcënohen të përballen me recesionin është Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, e cila po lufton me dobësimin e vazhdueshëm të sektorit të prodhimit dhe me shitje më të ulët globale të makinave, në të cilat ekonomia gjermane mbështetet shumë.
Gjithashtu në listë është Italia, ekonomia e katërt më e madhe në Evropë, e cila ishte në një recesion teknik në gjysmën e dytë të 2018 dhe përballet me vështirësi të vazhdueshme ekonomike për shkak të produktivitetit të dobët, papunësisë së lartë, borxhit të madh dhe trazirave politike.
Kina gjithashtu ka gjetur vendin e saj në listë, ekonomia e së cilës ka vazhduar të ngadalësohet për shkak të luftës tregtare me SHBA, megjithëse ende nuk është në recesion.
Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton që ekonomia e Kinës të rritet me vetëm 5.8 për qind për vitin 2020, pasi u rrit 6.6 për qind në 2018 dhe parashikoi 6.1 për qind këtë vit.
Ekonomi të tjera të kërcënuara seriozisht nga recesioni vitin e ardhshëm përfshijnë Turqinë, Argjentinën, Iranin, Meksikën dhe Brazilin.
FMN paralajmëroi në fillim të këtij viti që ekonomia globale do të ketë rritje prej vetëm 3 për qind në 2019, rritja më e ngadaltë që nga kriza globale financiare e vitit 2008.
Discussion about this post