Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka pritur sot ministrin për Bashkëpunim Regjional të Izraelit, Esawi Frej.
Pas takimit të delegacionit izraelit në krye me ministrin Frej i cili është ministri i parë nga Izraeli që e viziton Kosovën pas njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga ana e Izraelit në shkurt të vitit 2021, ata mbajtën konferencë për media ku folën për marrëdhëniet midis dy shteteve.
Ministri Krasniqi tha se ky delegacion do të qëndrojë për tre ditë në Kosovë, ku sot do të ketë takime institucionale, ndërsa nesër do t’i vizitojnë monumentet e trashëgimisë kulturore hebreje dhe të tjera.
“Nesër është një moment shumë i rëndësishëm ku do të ketë takim ndërmjet disa kryetarëve të komunave të Kosovës dhe kryetarëve të komunave të Izraelit të cilët janë pjesë e këtij delegacioni. Do të jemi gjithashtu në vizitë në spitalin pediatrik për shkak se ka një bashkëpunim ndërmjet shtetit të Izraelit dhe Kosovës, ngase disa fëmijë vazhdimisht janë atje për trajtime shëndetësore”, theksoi Krasniqi i cili theksoi se do të dorëzohen në shoqatën e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve “Handikos” disa karroca për fëmijë, donacion nga ministria mysafire.
Frej duke folur në emër të Izraelit tha se dëshirojnë që t’i avancojnë, fuqizojnë dhe thellojnë marrëdhëniet me Kosovën.
Ai tha se Izraeli dhe Kosova kanë shumë të përbashkëta, promovojnë bashkë-ekzistencën dhe tolerancën, e kuptojnë çmimin e konfliktit dhe luftën për pavarësi dhe janë vende të vogla me kapital njerëzor të pasur.
“Jam i sigurt se ky është vetëm fillimi dhe populli izraelit, Qeveria Izraelite, do të jetë muajin tjetër apo vitin tjetër këtu dhe do të jetë hapi i parë i investimeve në Kosovë, por, pikë së pari na duhet ta njohim njëri-tjetrin, të takohemi me njëri-tjetrin dhe ta dimë se nga jemi duke shkuar mirëpo jemi në rrugën e duhur”, theksoi ministri Frej.
Ai tha se Kosova është e rëndësishme për Izraelin dhe për këtë arsye tashmë është vendosur ambasadorja e këtij shteti në Kosovë, siç nuk ndodh të ketë në shumë vende ambasadorë izraelitë.
“Kosova është e rëndësishme dhe për këtë arsye kemi një ambasadore këtu. Jo të gjitha shtetet e Ballkanit kanë ambasador të Izraelit. Izraeli ka ambasadorë në 80 shtete në tërë botën. Në shumicën e shteteve ballkanike nuk ka ambasador izraelit. Por, në Kosovë po, kemi”, theksoi Frej.
Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt 2021 ndërsa më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Kuds.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 6 prill të këtij viti pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e parë e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
Delegacioni izraelit me në krye ministrin Frej do të qëndrojnë në Kosovë për tre ditë ku përpos takimeve me krerë të shtetit, do të bëjnë homazhe te Pllaka memoriale në nderim të viktimave të Holokaustit e cila gjendet tek oborri i ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ndërsa do të zhvillojnë vizitë edhe në Prizren.