Autoriteti i aviacionit civil të Sudanit pezulloi të gjitha fluturimet që nga e marta në Aeroportit Ndërkombëtar të Khartoum-it deri më 30 tetor shkaku i demonstratave pas grusht shtetit ushtarak në vend.
Më herët, kompania ajrore turke, Turkish Airlines, pezulloi fluturimet midis Turqisë dhe Sudanit pasi ushtria e vendit shpërndau qeverinë dhe vendosi një gjendje të jashtëzakonshme.
Sipas zyrës së shtypit të linjës ajrore, udhëtimet nga Stambolli në Khartoum dhe anasjelltas janë anuluar deri të enjten.
Kreu i këshillit qeverisës të Sudanit, gjenerali Abdel Fattah Al-Burhan, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të hënën dhe shpërndau Këshillin Sovran Kalimtar dhe qeverinë.
Masa erdhi disa orë pasi ushtria arrestoi kryeministrin Abdalla Hamdok dhe ministrat në qeverinë civile.
Al-Burhan njoftoi gjithashtu pezullimin e disa dispozitave të dokumentit kushtetues që përshkruan tranzicionin politik në Sudan.
Sipas Ministrisë sudaneze të Informacionit, ushtria e arrestoi Hamdok-un mëngjesin e së hënës pasi ai refuzoi të mbështeste atë që e përshkroi si “grusht shteti”.
Pas një grushti të dështuar ushtarak muajin e kaluar, tensionet e thella midis ushtrisë dhe administratës civile shpërthyen, ndërsa mbaheshin edhe protesta nga dyja palët në Khartoum.
Përpara shpërbërjes, Sudani administrohej nga Këshilli Sovran i përbërë nga autoritetet ushtarake dhe civile, i cili po mbikëqyrte periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e planifikuara për vitin 2023, si pjesë e një pakti për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit Forcat për Liri dhe Ndryshim.