(Rëndësia e samitit të Teheranit, Rais-Putin-Erdogan).
Shkruan: Mustafë Bajrami
Tanimë të gjithë e kanë kuptuar se lufta në Ukrainë është ndër luftat më të rrezikshme për gjithë botën prej Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka shtet që nuk është prekur nga kjo luftë, sikur që nuk ka vend që nuk është tundur nga pasojat e kësaj lufte. Ndër to SHBA-ja, Gjermania dhe të gjitha vendet tjera të Bashkimit Evropian.
Përtej krizës globale që ka shkaktuar lufta në Ukrainë, ajo e ka ndarë botën në dysh, dhe atë në mënyrë shumë të rrezikshme: Në njërën anë qëndron Perëndimi me vendet aleate, e në anën tjetër Rusia, Kina dhe vendet që janë nën varësinë a tyre ekonomike.
Por, është edhe grupi i tretë i shteteve që nuk janë as këndej e as andej.
Prapaskena e luftës në Ukrainë, pra, një “luftë” e madhe po zhvillohet pikërisht në taborin e tretë.
Ky tabor shtetesh edhe mund të ndikojnë në ecurinë e luftës si dhe në raportet e reja në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Shtrohet pyetja: Pse disa vende janë neutrale në luftën Rusi-Ukrainë?
Shumë gjëra janë të qarta lidhje me atë pse vendet si Kina, Pakistani, Bellorusia, Irani, Serbia, Venezuela, Nikaragua, Kuba, Libani.. po mbështesin Rusinë.
Por përse disa të tjera janë neutrale?
Ç’po kërkojnë ato të mbajnë anë, dhe sa do të binden për ta bërë këtë?
Sa është e rrezikshme që India e disa vende tjera të fuqishme të janë neutrale?
T’i lëmë për një çast menjanë interesat ekonomike: A mund të jetë në pyetje kujtesa historike?
Shumë shtete në Azi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme kanë refuzuar të izolojnë Moskën, pavarësisht përpjekjeve lobuese të BE-së dhe SHBA-ve. Vizitat e disa liderëve evropianë në Azinë Jugore, Indi, Afrikë, Paqësor dhe Lindja e Mesme nuk kanë dhënë rezltatet e dëshiruara. Edhe pse janë nënshkruar marrëveshje të reja tregtare midis vendeve evropiane dhe atyre pjesëve të botës, edhe pse Evropa është zotuar për më shumë mbështetje humanitare dhe financiare ndaj atyre vendeve, rezultatet nuk janë të kënaqshme.
S’do mend se nuk është vetëm varësia ekonomike e tyre ndaj Rusisë dhe Kinës. Ministri i jashtëm indian, Subrahmanyam Jaishankar, ka deklaruar se Evropa duhet të largohet nga mendësia se problemet e saj janë problemet e botës. “Bota nuk mund të jetë aq eurocentrike sa ishte në të kaluarën. Kur marrim parasysh Evropën kolektivisht, e cila ka qenë e heshtur për shumë gjëra që kanë ndodhur në Azi, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: “Pse dikush në Azi duhet t’i besojë më Evropës?”.
Në fakt, Eurocentrizmi ka kohë që sfidohet nëpër akademi të ndryshme të vendeve aziatike dhe afrikane. Në pyetje është pikërisht kujtesa e hidhur ndaj kolonializmit të dikurshëm evropian dhe Perëndimit në përgjithësi. Kjo është një prej arsyeve kryesore pse pikërisht India vazhdon të mbajë qëndrim neutral ndaj Rusisë.
Njëjtë kështu edhe vendet afrikane anëtare të Bashkimit Afrikan. Macky Sall, president i Senegalit dhe kryetar i Unionit Afrikan (AU), ka nënvizuar se sanksionet e bllokut ndaj Rusisë, jo vetëm që kërcënojnë importin e drithërave dhe plehrave në Afrikë, por edhe shkelin mbi kujtesën afrikane ndaj kolonializmit të egër të Evropës në Afrikë. Në intervistën dhënë gazetës javore franceze ‘Le Journal du Dimanche’, ai ka thënë se Unioni Afrikan veç ka filluar t’i ndjejnë pasojat e luftës në Ukrainë. Shumë vende të Unionit, edhe pse dëshirojnë t’i paguajnë borxhet dhe shpenzimet e importit të drithërave dhe plehrave, ato nuk mund ta bëjnë për shkak të krizës së madhe që i ka kapluar këto vende. Kërkojmë nga evropianët kompenzim dhe ndihma për gazin dhe naftën. Duke mos harruar se shumë vende afrikane refuzojnë t’i bashkangjiten Evropës në “betejën” e saj kundër Rusisë, pikërisht për shkak të kolonializmit të dikurshëm në Evropës”. Këtij shqetësimi afrikan i “ka dalur në krah” Jacob F Kirkegaard, bashkëpunëtor i lartë në fondin gjerman Marshall, dhe thotë: “Unë e kuptoj ndjenjën e këtyre rajoneve, sepse kur vendet në Afrikë dhe Azi kanë pasur luftëra, Evropa shumë herë ka luajtur lojëra të njëanshme”.
Edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, në njëfarë mënyrë i ka arsyetuar shqetësimet e liderëve afrikanë. Por ka thënë se këto shqetësime nuk duhet të vihen në pah tani kur Evropa po i vendos sanksione Rusisë. “Unë u kam dërguar një letër të gjithë ministrave të punëve të jashtme afrikane, duke u shpjeguar se si do të jenë sanksionet tona – si funksionojnë, kë prekin, çfarë mund të lejohet sipas sanksioneve e çfarë jo” tha ai.
Si rezultat i gjithë kësaj, BE-ja u ka premtuar vendeve afrikane miliarda euro për rikuperimin e ekonomive të tyre përgjatë krizës globale që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.
“Kjo është pjesë e planit të veprimit për pasojat gjeopolitike të agresionit rus, si dhe duke marrë parasyshë kujtesën historike të shumë vendeve të Azisë dhe Afrikës”, ka thënë Borrell.
Takimi i sotshëm i tre liderëve të Rusisë, Turqisë dhe Iranit në Teheran është i një rëndësie të posaçme. Përtej bisedimeve rreth luftës në Ukrainë si dhe mundësisë së zhbllokimit të transportit të mallrave ruse dhe ukrainase, aty mund të “përbirohet” edhe shqetësimi i Iranit i përshkuar nga kujtesa e hidhur me botën perëndimore.
Se cila do të jetë më e fuqishme, interesi ekonomik i tanishëm, apo kujtesa historike, pritet të shihet pas përfundimit të samitit, e sidomos në javët dhe muajt në vijim pas këtyre bisedimeve.
Një gjë është e sigurtë: Turqia dhe Irani e kanë shancën të vejnë kushte mbi tavolinë për të përfituar ekonomkisht dhe politikisht në staza të gjata. Si nga Rusia, si dhe nga bota perëndimore.