Presidenti i Egjiptit, Abdulfattah Al-Sisi vendosi të heqë gjendjen e jashtëzakonshme prej 4 vitesh në fuqi në vend.
“Për herë të parë pas shumë vitesh kam vendosur të anuloj gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Jam i lumtur që po e shijojmë së bashku këtë moment, për të cilin kemi luftuar kaq gjatë. Egjipti është kthyer në një oazë sigurie dhe stabiliteti në rajon falë popullit të tij besnik”, ka shkruar Al-Sisi në llogarinë e tij në “Facebook”.
Më 12 korrik 2021, gjendja e jashtëzakonshme në Egjipt ishte zgjatur me 3 muaj të tjerë për të 17-ën herë.
Sulmet e kryera nga organizata terroriste ISIS në prill 2017 në qytetet Aleksandri dhe Tanta morën jetën e 45 personave dhe lanë të plagosur 125 të tjerë.
Pas këtyre sulmeve Al-Sisi njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend për një periudhë tremujore, që më pas do të rinovohej vazhdimisht pa ndërprerje.