Në vitet 80-të Greqia konsiderohej si avokate e palestinezëve. Por kohët kanë ndryshuar. Për arsye gjeopolitike, qeveria e Athinës kërkoi daljen krah për krah Izraelit dhe e gjeti.
Greqia dhe Izraeli: Historia e një miqësie të pazakonshme. Marvan Emile Toubassi, përfaqësuesi diplomatik i Palestinës në Athinë protestoi. Ai është “plot shqetësim dhe tejet i zhgënjyer” për deklaratat e Ministrisë së Jashtme të Athinës për konfliktin e Gazës, shkruhej në një deklaratë për shtyp. Diplomati i lindur në Jerusaleim kishte pritur një “shprehje solidariteti”, në vend të kësaj nga Athina erdhi vetëm “apeli për të gjitha palët në konflikt të ulin armiqësitë.” Tubasi përmendet shkurt në mediat greke. Vetëm gazeta e majtë, “Avgi” e publikoi të plotë kritikën e tij.
Ka pasur një kohë, dhe ishin vitet 80-të, kur palestinezët priteshin ndryshe në Greqi. Menjëherë pas marrjes së pushtetit në vitin 1981, kreu socialist, Andreas Papandreu ftoi në Athinë drejtuesin e Organizatës së Çlirimit të Palestinës, Jaser Arafatin. Dhe ai erdhi vërtet, si i ftuari i parë i huaj i qeverisë së re të majtë. Në kryeqytetet europiane, ku Arafati damkosej si terrorist, ky veprim shkaktoi shok. Edhe në vitin 1982 Papandreu nisi disa anije drejt Bejrutut për të çliruar mijëra përkrahës të Organizatës së Çlirimit të Palestinës nga pushtimi izraelit. Në kongresin e mëvonshëm të socialistëve, Arafati ishte po ashtu i ftuar nderi.
“Atëkohë Greqia mbante kontakte të ngushta me botën arabe”, thotë Jorgos Tzogopoulos, ekspert për çështjet ndërkombëtare të Universitetit të Trakisë në bisedë me DW. Arsyet për këtë rënie të interesit janë të shumta. “Në të shkuarën qindra mijëra grekë jetonin në Egjipt dhe vende të tjera arabe, kjo ka lënë gjurmë. Përveç kësaj grekët shpresonin në mbështetjen e arabëve për zgjidhjen e konfliktit të Qipros. Izraeli kishte atëkohë marrëdhënie shumë të mira me Turqinë dhe ishte për një kohë jo shumë interesant si partner i mundshëm në Mesdheun Lindor.” Por kohët kanë ndryshuar. Konstantin Mitsotakis, babai i kryeministrit të sotëm grek, ia doli të ketë në vitin 1990 një sukses diplomatik, kur njohu Izraelin dhe dërgoi për herë të parë një ambasador në Tel Aviv.
Nënshkruhet marrëeshja për gazsjellësin, nga e majta, presidenti qipriot, Nicos Anastasiades, kryeministri grek, Mitsotakis dhe ai izraelit, Netanjahu, janar 2020
Intifada pengoi njohjen
Diplomati i atëhershëm përgjegjës, Demostenes Konstantinou kujton në portalin online grek, infognomonpolitics.gr, se ai i kishte propozuar që në vitin 1987 qeverisë pararendëse socialiste të njihte Izraelin nga ana diplomatike. Ministri i Jashtëm, Karolios Papulias kishte qenë dakord, por “në zonat palestineze shpërtheu Intifada dhe projekti u la mënjanë.” Njohja e Izraelit në një kohë, kur në zonat e pushtuara ziente? Kjo do ishte e vështirë të pranohej nga publiku grek. Fillimi i marrëdhënieve diplomatike tre vjet më vonë ishte një hap i rëndësishëm për afrimin me Izraelin. Në turizëm u tejkaluan të gjitha pritshmëritë. Afër 1 milionë izraelitë në vit i kalojnë sot pushimet në Greqi.
Gazi dhe roli i Turqisë
Më i vështirë është bashkëpunimi në sektorin energjitik. Vërtet që Greqia, Izraeli, Qiproja e nënshkruan një marrëveshje për ngritjen e gazsjellësit në Mesdhe, Eastmed, i cili nga viti 2025 do të sjellë gaz nga Izraeli në Europë, por ende ka dyshime për rentabilitetin e projektit. Në vitet e fundit, thotë eksperti Jorgos Tzogopoulos ka pasur një shkëmbim të dendur mes grekëve dhe izraelitëve. Ai vetë është pjesë si bashkëthemelues i organizatës Forumi Izraelito-Helenik, që bashkon studiuesit nga të dyja vendet. Jorgos Tzogopoulos është i mendimit, se afrimi mes dy vendeve ndodh edhe për arsyen, se marrëdhëniet me Turqinë janë të tensionuara prej vitesh. Si shembull të mirë të bashkëpunimit ai përmend fushën e mbrojtjes dhe armatimit. Izraeli ofron drone për forcat ushtarake greke, dhe ka shumicën e aksioneve në koncernin grek të prodhimit të armëve, ELVO. Pritet që së shpejti automjetet ushtarake izraelite të blinduara të prodhohen në Greqi. Izraelitët po ashtu lejohen të përdorin bazën ushtarake ajrore në Kalamata në jug të Greqisë për qëllime të stërvitjes ushtarake dhe bashkëfinancojnë modernizimin e saj. Marrëveshja për këtë u nënshkrua në prill.
Kur Arafati konsiderohej terrorist, kryeministri grek Papandreu e priste me nderime në vitet 80-të
“Jo bashkësi mbrojtjeje”
Sipas Jorgos Tzogopoulos Izraeli dhe Greqia i kanë hyrë një “parneriteti stretegjik”, por “jo një bashkësie të mbrojtjes”. Këtë analisti grek kërkon ta theksojë, sepse “askush nuk do të mobilizonte kundër armikut të partnerit tjetër, kaq qëndrim realist ekziston. Kush pret në këtë drejtim më shumë do të zhgënjehet shumë” , thotë Jorgos Tzogopoulos. Mbetet pyetja, si reagon politika e jashtme e Athinës ndaj konfliktit në Gaza. Edhe këtu ka një sens realist, mendon politologu. Parimisht nuk ka ndryshuar asgjë, Greqia mbështet zgjidhjen diplomatike në kuadër të OKB-së. Megjithatë “Greqia nuk është ndër vendet e para që protestojnë, kur Izraeli ndjek interesat e tij në rajon. Në vitet 80-të kjo ka qenë ndryshe”, thotë Jorgos Tzogopoulos.