Kreu i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Ahmed Raissouni, tha se “normalizimi nënkupton nderimin e Izraelit, bashkëpunimin me të, vendosjen e aleancës, hapjen e dyerve ekonomike”
Kreu i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Ahmed Raissouni, theksoi se marrëveshja për normalizimin mes Izraelit edhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) nënkupton shpërblimin e vrasësve, transmeton (AA).
Në një video të postuar në faqen e tij të internetit, Raissouni, pasi tha se normalizimi me Izraelin do të thotë qëndrim në anën persekutorëve, u bëri thirrje popujve të vendeve arabe dhe islame që ta kundërshtojnë këtë.
Ai tha se normalizimi me vendet arabe dhe islame ka qenë problemi më i madh që nuk ka mundur të gjejë zgjidhje prania sioniste (Izraeli), që është vendosur me forcë në territoret palestineze.
“Normalizimi nënkupton nderimin e Izraelit, bashkëpunimin me të, vendosjen e aleancës, hapjen e dyerve ekonomike, kulturës dhe turizmit dhe jetesën më mënyrë të qetë në mesin e personave që ai u ka grabitur atdheun dhe i ka lënë pa shtëpi”, deklaroi Raissouni.
Duke vënë në dukje se vitet e fundit liderët e disa vendeve kanë hedhur hapa për normalizim me Izraelin por se popujt janë kundër kësaj, Raissouni tha se “Normalizimi është shpërblim për grabitësit, agresorët, ata që vjedhin, për vrasësit dhe kriminelët dhe është që të hapësh një derë ndaj tyre. Një person i cili thotë se është musliman nuk e bën këtë. Një person që është i lidhur me fenë e tij nuk bëhet fjalë që të shpërblejë kriminelët, vrasësit e bijve dhe vëllezërve të tyre dhe ata që i grabisin territoret”.
Pasi bëri të ditur se Izraeli lidhur me çështjen e normalizimit ka gjetur përgjigje tek disa liderë arabë “tradhtarë dhe të pandershëm”, Raissouni theksoi se arma më e fortë e vendeve arabe dhe islame është që të kundërshtojnë normalizimin.
Më tej Raissouni njoftoi se vazhdimi i kundërshtimit të normalizimit nga popujt, është provë se Izraeli do të eliminohet.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të enjten më 13 gusht njoftoi se Izraeli dhe EBA kanë arritur një marrëveshje për të “normalizuar plotësisht marrëdhëniet”. Po ashtu edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nga llogaria e tij në median sociale, duke cituar postimin e Trumpit tha se “Sot është një ditë historike”.