Një prej politikanëve kryesorë në Izrael ka përdorur të mërkurën shprehje skandaloze për shpërthimin e fuqishëm me pasojë qindra të vdekur dhe mijëra të plagosur në kryeqytetin Bejrut të Libanit.
Moshe Feiglin, kryetar i partisë së djathtë Zehut (Identiteti) dhe ish-nënkryetari i Parlamentit të Izraelit, u shpreh i kënaqur për shpërthimin në Portin e Bejrutit.
“Ne pamë një shfaqje të mrekullueshme fishekzjarrësh në Portin e Bejrutit për nder të Ditës së të Dashuruarve (4-5 gusht sipas kalendarit hebraik). A e dije se ky ferr do të binte si raketë mbi ne?”, shkroi Feiglin në llogarinë e tij në rrjetin social “Twitter”.
Pasi vuri në pah se ai ka pak njohuri mbi lëndët shpërthyese, Feiglin vijoi me këto fjalë: “Shpërthimi më i madh që kam dëshmuar ishte ai i 2,5 tonë eksplozivëve TNT. Kurse ai që pamë në Portin e Bejrutit ishte shumë më tepër se kaq, pati efekt shkatërrues si të një bombë atomike të vogël.”
Duke pohuar në mënyrë skandaloze se shpërthimi ishte një “ditë falënderimi” e vërtetë, Feiglin falënderoi “heronjtë e vërtetë që organizuan këtë festë të mrekullueshme për nder të Ditës së të Dashuruarve”.
Gjatë viteve 2013-2015, Feiglin përfaqësoi në Parlamentin izraelit Partinë Likud të udhëhequr nga Kryeministri Benyamin Netanyahu. Partia e tij, Zehut, nuk e kaloi pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit.