Egjipti, Etiopia dhe Sudani kanë dështuar për të arritur marrëveshje në runind e ri të bisedimeve, të organizuar nga Unioni Afrikan, rreth rregullimit të rrjedhës së ujit nga diga gjigante në Nilin e Kaltër, e ndërtuar nga Etiopia.
Unioni Afrikan i filloi përpjekjet për ndërmjetësim para dy javësh, ku u përfshinë 11 konferenca përmes internetit për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes rreth mbushjes dhe futjes në operim të digës që Etiopisë i ka kushtuar katër miliardë dollarë.
Kjo digë është pjesë e planit të Etiopisë për t’u bërë eksportuesja më e madhe e energjisë në Afrikë, por ajo ka shkaktuar shqetësime në Egjipt për shkak të frikës nga kufizimi i rrjedhës së Nilit, nga i cili varet pothuajse tërë popullsia e Egjiptit prej mbi 100 milionë banorësh.
“Kërkesat e pandryshuara, të shtuara dhe të tepruara të Egjiptit dhe Sudanit e ndaluan përmbylljen e këtij rundi të negociatave me një marrëveshje”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Ujit, Ujitjes dhe Energjisë së Etiopisë.
Ministria e Ujitjes e Egjiptit tha se të trija shtetet do ta dorëzonjë një raport për këto bisedime te ndërmjetësi Cyril Ramaphosa, president i Afrikës së Jugut dhe president i Unionit Afrikan, i cili është duke e përgatitur një samit të ri.
Ministri sudanez i Informacionit, Faisal Saleh, tha se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe se nevojitet një zgjidhje e drejtë për ta kufizuar ndikimin negativ të digës.