Prishtinë, 19 shkurt – Fiks 31 filma nga 29 shtete garuan për çmimet e festivalit që fokusohet në çështjet e grave, por “Shpia e Agës” nga Kosova doli triumfues i edicionit të katërt të “Aswan International Women’s Film Festival”, duke u marrë katër çmime.
Rrëfimi i ekranizuar i Lendita Zeqirajt ka marrë çmimin për filmin më të mirë, për regjinë, atë të kritikës dhe çmimin për aktoren më të mirë, Rozafa Çelajn. Ceremonia e ndarjes së çmimeve të dielën, pos shfaqjes së filmave , ka mbyllur një javë të ngjeshur në praninë e regjisorëve dhe kritikëve egjiptianë e të huaj.
Lajmin për fitoren e katërfishtë e ka bërë të ditur vetë regjisorja, të martën, gjatë ditës në llogarinë e saj në Facebook.
“Një falënderim i madh për ekipin tonë të mrekullueshëm, pa ndihmën e tij kjo nuk do të ishte e mundur, anëtarëve të jurisë ‘Aswan international Women film Festival’ dhe të gjithë dashamirëve të filmit që na kanë mbështetur. Pa besimin tuaj, ne nuk do të ishim këtu për t’i thënë tregimet tona”, ka shkruar Zeqiraj, njëherësh edhe skenariste e filmit, ndërsa ka afishuar vegëzën e një shkrimi të botuar në të përditshmen egjiptiane “Al-Ahram”.
Bujar Kabashi, producent i filmit, ka paralajmëruar se “Shpia e Agës” do të vazhdojë të shfaqet në ekranet e festivaleve ndërkombëtare.
“Tash me radhë filmi shkon në Valencia dhe Madrid të Spanjës, Rouen dhe Paris në Francë, Montevideo në Ekuador. Po ashtu, edhe në Indi dhe Seul të Koresë së Jugut. Këto mund t’i zbulojmë tash për tash, por ka edhe të tjera”, ka thënë ai.
Në filmin “Shpia e Agës” rolet kryesore i luajnë Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni e të tjerë./Gazeta Mejdani/