Raundi i fundit i bisedimeve midis Etiopisë, Egjiptit dhe Sudanit ka ngecur pasi Etiopia demaskoi SHBA-të se mban hapur anën e Egjiptit në bisedime
Diga prej 5 miliardë dollarësh të cilën është duke e ndërtuar Etiopia në lumin Nil është gjëja e dytë më e rëndësishme për etiopianët dhe e dyta vetëm pas jetës së njeriut, tha kryeministri i vendit, Abiy Ahmed, transmeton Anadolu Agency (AA).
Edhe pse koronavirusi i ri u shfaq si kërcënimi më ekzistencial aktualisht, Ahmed tha: “Por, ai nuk duhet të na pengojë nga mbarimi i digës sonë, që është shpëtimi ynë. Mbrojtja e jetës është prioriteti ynë ndërsa në radhë të dytë e kemi GERD-in”.
Abiy bëri komentet e tij në një deklaratë të lëshuar me rastin e vitit të nëntë të fillimit të ndërtimit të Digës së Madhe të Rilindjes së Etiopisë (GERD), një projekt i rëndësishëm, dega e lumit në Etiopi e cila ngritet afër kufirit të Sudanit.
Ky veprim i Etiopisë shkaktoi shqetësime serioze për Egjiptin, një vend në rrjedhën e poshtme dhe që me shekuj dominoi Nilin duke pretenduar se burimi është “e drejta historike” e Egjiptit.
Etiopia kontribuon me 85 për qind në ujërat e Nilit, një lum i fuqishëm që përshkon 11 vende.
Egjipti ka frikë se GERD-i do të zvogëlonte ndjeshëm “pjesën” e saj të prurjeve, sipas një traktati të epokës koloniale të vitit 1959 që nuk përfshin Etiopinë, në 55.5 miliardë metra kub. Etiopia pohon se Nili është burimi i saj natyror dhe ka nevojë për energjinë për zhvillim.
Laureati i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2019, Abiy përsëriti se Etiopia “do të fillojë mbushjen e digës në sezonin e ardhshëm me shi (korrik)”.
“COVID-19 nuk duhet të na pengojë nga mbarimi i GERD-it, i cili është një simbol i sovranitetit dhe unitetit kombëtar për etiopianët”, tha ai.
Përpjekja e fundit për të ulur tensionet midis Etiopisë dhe Egjiptit u iniciua nga presidenti amerikan, Donald Trump ndërsa raundi i bisedimeve në Washington midis Sudanit, Etiopisë dhe Egjiptit nuk dha fryte pasi Etiopia hodhi poshtë një “urdhër” të sekretarit amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin se Etiopia nuk duhet të fillojë mbushjen e digës para se të arrihet marrëveshja.
Deklarata e Mnuchin në fund të shkurtit tërhoqi kritika të ashpra në Etiopi dhe jashtë saj për mosrespektimin e sovranitetit të Etiopisë.
Abiy u bëri thirrje etiopianëve që të intensifikojnë blerjen e bonove dhe të marrin pjesë në mekanizmin e mbledhjes së fondeve të telefonisë celulare në mënyrë që Etiopia “të mos ketë nevojë të varet nga financuesit”.