Kreu i Këshillit të Sovranitetit të Sudanit, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, njoftoi shpërbërjen e këshillit dhe qeverisë dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Duke folur në televizionin shtetëror, al-Burhan njoftoi se zgjedhjet do të mbahen në 2023, ashtu siç është planifikuar më parë.
Të hënën herët në mëngjes një grup zyrtarësh ushtarakë sudanezë arrestuan Kryeministrin Abdullah Hamduk dhe liderët e partive që janë partnere të qeverisë së koalicionit.
Pas arrestimit të udhëheqësve të koalicionit qeverisës në disa lagje të kryeqytetit Hartum shpërthyen protestat. Demonstruesit dogjën goma dhe bllokuan rrugët.
Ministria sudaneze e Informacionit njoftoi se disa nga anëtarët e Këshillit të Sovranitetit dhe disa ministra të qeverisë kalimtare ishin arrestuar nga forcat ushtarake.
Ministria e Informacionit bëri me dije gjithashtu se forcat ushtarake bastisën qendrën e radios dhe televizionit që ndodhet në lagjen Umdurman të kryeqytetit Hartum dhe arrestuan shumë punonjës.
“Forcat ushtarake bastisën selinë e radiotelevizionit në Umdurman dhe arrestuan shumë punonjës”, thuhet në deklaratën me shkrim të Ministrisë.
Sipas të njëjtës deklaratë, kryeministri sudanez Abdullah Hamduk, i cili mbahet në arrest shtëpie, i bëri thirrje popullit të dalë në rrugë për të mbrojtur revolucionin e tyre në mënyrë paqësore.
Nga ana tjetër, pritet që kryetari i Këshillit të Sovranitetit, Abdulfettah al-Burhan të bëjë një deklaratë për zhvillimet e fundit.
Partitë politike sudaneze bënë thirrje për mosbindje civile pas përpjekjes për grusht shteti, ndërsa Unioni Sudanez i Dhomave Profesionale u bëri thirrje njerëzve të dalin në rrugë.
Pas mobilizimit ushtarak në vend ka ndërprerje të internetit dhe telefonit.