Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme edhe zyrtarisht pas takimit me kryetarët e Komunave të Kosovës.
Hoti i ka informuar kryetarët e Komunave të Kosovës se me këtë trend të rritjeve të rasteve me koronavirus, janë t1% detyruar ta shpallin Gjendjen e Jashtëzakonshme në Kosovë.
Kjo masë e re nga Qeveria e Kosovës mund të ndodhë për shkak të numrit të madh të rasteve dhe ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.
“I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka shkruar Hoti ndër tjerash.
Hoti ka thënë se Gjendja e Jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar.
Postimi i plotë nga Hoti:
Me organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, sot kishim një video konferencë me Kryetarët e Komunave për të vlerësuar gjendjen me covid-19. I falënderoj kryetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen për vendimet e Qeverisë lidhur me menaxhimin e covid-19 dhe për propozimet e tyre për masat shtesë që duhet të marrim në javët në vijim për tu ulur numri i të prekurve.
I informova për angazhimin e Qeverisë për të krijuar kapacitete shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj.