Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin Ekonomik në Shkup është deklaruar edhe për iniciativën “Open Balkan”, për të cilën ka thënë se nuk kanë diskutuar në këtë samit, por siç theksoi ai beson në Procesin e Berlinit.
Kurti theksoi se nuk u përket grupit të politikanëve që besojnë ne vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit.
Sipas Kurtit iniciativat ku nuk është i përfshirë Bashkimi Evropian nuk janë të sigurta, të qëndrueshme e as të dobishme.
“Nuk e kemi konsideruar këtë temë. Ne besojmë në Procesin e Berlinit dhe në tregun e përbashkët rajonal që është pjesë e Procesit të Berlinit. Mendojmë se iniciativa të cilat nuk e kanë Bashkimin Evropian brenda, nuk mund të jenë të sigurta, të qëndrueshme dhe të dobishme. Prandaj, më shumë e theksojmë nevojën e bashkëpunimit bilateral brenda procesit të Berlinit. Në anën tjetër edhe si orientim politik, edhe si ndjeshmëri kulturore, unë nuk ju përkas atyre politikanëve të cilët besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit”, theksoi kryeministri Kurti para medieve në Shkup.
Në lidhje me “Open Ballkan”, zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, u shpreh më i hapur.
Ai ka thënë se nëse do të shpjegohej në mënyrë më të mirë dhe të shihen benefitet e kësaj iniciative, Mali i Zi nuk do ta kishte problem të merrte pjesë e të jepte kontributin në këtë iniciativë.