Kryeministri Albin Kurti është pyetur edhe një herë për çështjen e Open Ballkan. Në konferencën, në të cilën ai e prezantoi Ministrin e ri të Shëndetësisë Rifat Likaj, u pyet përsëri rreth kësaj çështjeje, ndërsa u përgjigj se qëndrimet e qeverisë, janë të qarta në këtë drejtim.
“Serbia për ta dëshmuar se është për Ballkan të hapur duhet të hapet njëherë për Kosovën”, tha ai, duke ia kujtuar opinionit se në preambulën e kushtetutës së Serbisë, Kosova ende figuron si pjesë integrale e territoriale e saj.
Nga ana tjetër, duke folur rreth paralajmërimit se Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do t’i largojnë kontrollet kufitare nga janari i 2023-së, Kurti tha “deri në datën kur e kanë paralajmëruar këtë gjë mund të ndodhen shumë zhvillimet politike. Një premtim i tillë më shumë është një parashikim i vagullt sesa ndonjë fakticitet që po e presin të gjithë”.
Ndonëse konferenca u thirr vetëm për ta prezantuar ministrin e ri, Kryeministri Kurti iu përgjigj pyetjeve të ndryshme, që nuk kishin të bënin me këtë emërim.