Përpjekja për të mos e lënë më PDK-në të jetë pjesë e qeverisë, sa shkon e rritet. I gjithë potenciali politik opozitar është orientuar në këtë drejtim. Krahu i luftës kësaj radhe nuk do ta ketë lehtë të marrë qeverinë, shkruan Gazeta Mejdani.
Seeanca për shpërndarjen e Kuvendit është caktuar më datën 22 gusht, dhe tashmë edhe LDK-ja ka deponuar votat për mocionin.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se janë të vendosur që të shpërndajnë Kuvendin dhe të shkojnë në zgjedhje të reja, në mënyrë që të formohet një qeveri legjitime dhe e cila merret me temat të cilat, sipas tij, kanë stagnuar gjatë Qeverisë Haradinaj.
“Ne si LDK qëndrojmë fuqishëm brenda asaj që se duhet të shpërndahet Kuvendi duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Duhet të votohet në zgjedhje një qeveri që ka legjitimitet qytetar dhe një qeveri e cila duhet të merret me çështje të cilat kanë stagnuar gjatë kësaj periudhe kohore dhe për të cilat kemi edhe presion të brendshëm, ma tepër çështje ekonomike për çështjet e sundimit të ligjit funksionimit të shtetit ligjor. Por edhe për çështje të dialogut edhe të integrimeve evropiane për të cilat kemi kërkesa të partnerëve tanë ndërkombëtarë, por kemi edhe nevojat tona të brendshme sepse aty ardhmërinë tonë”, thotë Mustafa, në një intervistë për EkonomiaOnline.
Mustafa ka mohuar zërat se ka pasur presione nga faktori ndërkombëtar për krijimin e një qeverie teknike.
Ai madje thotë se në çdo takim që ka pasur me ambasadorë të akredituar në Kosovë, është theksuar nevoja për respektimin e vullnetit të partive politike, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
“Kërkesa nuk kemi pasur as para 3 gushtit kur e kemi pas Kuvendin e LDK-së, as pas 3 gushtit kur kemi pasur kontakte me përfaqësues të jashtëm diplomatikë. Në zyrën time këta përfaqësues kanë deklaruar se do ta respektojnë vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, vullnetin e subjekteve politike në Kosovë lidhur me atë se do të shkohet në zgjedhje të reja, apo mendohet të rikonfigurohet kjo qeveri. Por, e kam pa se çdonjëri prej tyre pret që do të shkohet në zgjedhje të reja sepse çdonjëri ka folur më tepër për nevojën që zgjedhjet të organizohen në mënyrë të mirë, të jenë zgjedhje transparente të jenë zgjedhje të rregullta të zhvillohet një demokraci e brendshme gjatë këtij procesi zgjedhorë dhe që menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të shkojmë sa ma shpejtë në formimin e qeverisë së re. Sepse janë çështje të cilat na presin dhe për të cilat nuk kemi kohë që të vonohemi”, thotë Mustafa.
I pyetur për koalicionet e mundshme parazgjedhore, i pari i LDK-së thotë se vullneti i anëtarësisë së kësaj partie është i vullnetit të shkojë vet në zgjedhje.
Thotë se partitë e mëdha do të ishte mirë të garojnë të vetme, pasi që është e vetmja mënyrë për të vërtetuar fuqinë reale.
Por, thotë se situata do të ndryshojë nëse partitë e tjera vendosin të shkojnë në koalicione parazgjedhore.
“Mund të them se tani për tani nuk kemi një përcaktim të qartë lidhur me sidomos me koalicioniet, sepse është një qëndrim parimorë i LDK-së, i cili orientohet andej që është mirë ne të shkojmë veç e veç në zgjedhje, që këto partitë që e konsiderojnë veten që janë parti bartëse të demokracisë në Kosovë të shkojnë veç e veç dhe të matemi para qytetarëve ta marrim përkrahjen e tyre. Dhe në këtë formë jo vetëm se do të tregohemi se jo vetëm se kush është partie e cila ka besim më të madh para qytetarëve, por do ta marrim edhe përgjegjësinë e qeverisjes së vendit. Por, në qoftë se të tjerët nuk i përmbahen kësaj rregulle natyrisht se edhe ne do ta rimendojmë qëndrimin tonë në këtë aspekt, dhe të shohim se me kë mund të qeverisim dhe ti zgjidhim problemet që janë shumë aktuale dhe që janë para nesh”, thotë Mustafa.
Mustafa ka komentuar edhe takimin me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin dhe mundësinë për një koalicion parazgjedhor me këtë parti.
Thotë se nuk ka biseduar për një temë të tillë, pasi që janë marrë vesh që për të përafruar qëndrimet duhet të krijojnë grupe teknike.
“Ne nuk kemi biseduar konkretisht për koalicione sepse jemi marrë vesh që, për koalicione duhet të zhvillohet biseda kushtimisht ndërmjet grupeve teknike të subjekteve politike në mënyrë në mënyrë që të shihen krejt parakushtet për koalicion dhe poshtu të duhet të vendoset në organet të LDK-së tash po flas për veti të cilat marrin qëndrim për koalicione, është këshilli i përgjithshëm i LDK-së”, thotë ai.
I pyetur nëse LDK-ja do të pranonte Albin Kurtin për kryeministër, Mustafa thotë se ende nuk kanë diskutuar për një mundësi të tillë, teksa shprehet se LDK-ja është e vendosur të udhëheqë me qeverinë e ardhshme.
‘Nuk kemi biseduar për kryeministrin. Mirëpo vullneti edhe qëndrimi i LDK-së është që LDK-ja të hyn në zgjedhje për ta pasur kryeministrin e vet, sepse ne vlerësojmë që jemi parti më e madhe jo vetëm më e madhe që del në bazë të opinionit publik por edhe mbi bazën e deputetëve që kemi tash në Kuvendin e Republikës së Kosovës mbi bazën e komunave në të cilat qeverisim, natyrisht që kjo nuk është një trashëgimi që është trashëgimi i përhershme por se ne besojmë që kemi njerëz shumë të mirë të aftë të përgatitur që ta qeverisin vendin sepse edhe në qeverisjen e kaluar kemi treguar se jemi të zot që të qeverisim vendin në pikat në të cilat të tjerët nuk kanë qeverisur si duhet”, thotë ai.
Thotë se janë shumë tema për të cilat duhet të koordinohen me VV-në, por që nuk pranojnë e as nuk do vendosin kushte.
Ai e pranon se kanë pikëpamje të ndryshme rreth zgjidhjes së tyre, duke përfshirë dialogun, zhvillimi ekonomik, privatizimit etj.
“Kushtet ne do t’i bisedojmë mos të them shprehimisht ose në mënyrë eksplicite për kushte sepse nuk është mirë që të vemi kushte njëra palë tjetrës,por janë disa çështje për të cilat ne duhet të tregojmë bashkërisht vullnet të mirë, është çështja e dialogut . Ne do ta shohim se si bashkërisht do të mund ta procedojmë, ose do të mund ta zhvillojmë dialogun. Është çështja e zhvillimit ekonomik të zvogëlimit të papunësisë, punësimit dhe janë çështje të cilat lidhen me sistemin tonë ekonomik. Dhe unë mendoj që aty nuk do ta kemi problem që të gjejmë gjuhë të përbashkët të zhvillimit të sektorit privatizim, punësimit iniciativës së lirë, por edhe menaxhimit më të mirë koorporativ të kompanive publike. Janë çështje të tjera që ndërlidhen me dialogun, që ka të bëjë me mos ndryshimin e kufijve, qoftë me Serbinë qoftë me vendet e tjera, sepse ne jemi shumë të qartë aty, është shumë e qartë edhe Kushtetuta e vendit, prandaj në këtë aspekt nuk do të vejmë kushte, por kusht është kushtetuta dhe kushte janë institucionet e Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, Mustafa thotë se “vija të kuqe” kanë vetëm ndaj PDK-së, të cilës thtoë se nuk do t’i japin një shans të dytë për të bashkëqeverisur.
Ndërsa me partitë tjera thotë se do të bisedojnë për mundësinë ëe përafrimit të programit qeverisës.
“Ne e respektojmë vullnetin e anëtarësisë dhe vullnetin e organeve të LDK-së, vullneti i afetarisë nuk është që ne të bëjmë koalicion me PDK-në dhe vullneti i strukturave të LDK-së as i degëve as i strukturave tjera është kundër kësaj, prandaj asnjë arsye nuk e kemi të bëjmë koalicion me PDK-së me një parti e cila ka shkelë marrëveshjen koalicionit me ne e cila ka ka dalur se i ka përkrahur demonstratat e dhunshme, grevat e dhunshme,protestat e dhunshme kundër qeverisë tonë, edhe pse ka qenë pjesë e asaj qeverie dhe së bashku me ta ka organizuar peticion të mosbesimit ndaj qeverisë, prandaj me këtë përfundon çdo gjë, ne nuk u japim shansin e dytë PDK-së as individualisht as si LDK”.
“Me partitë e tjera ne do të bisedojmë, ne nuk vejmë kufijtë do të bisedojmë se me çfarë të dalim ne më së miri në zgjedhjet e ardhshme dhe në qeverisjen ardhshme, me kë ne mund të qeverisim në mënyrë që në një formë të rivendosim atë që është shkatërruar deri më tani në Kosovë, në pikëpamje qeverisëse dhe të vëmë vija të reja që është e domosdoshmërish, që t’i vejmë pikëpamje të zhvillimit të rivënies së marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, dhe marrjes së vendimeve të cilat nuk janë të lehta, por të cilat duhet t’i marrim në një qeveri e cila është më një shtirje më të gjerë dhe e cila duhet të jetë stabile”, thotë Mustafa.
Pavarësisht se e pranon që taksa ndaj Serbisë është vendosur për interesa personale dhe partiake, Mustafa këmbëngul se ajo nuk duhet të largohet.
Thotë se nëse LDK-ja udhëheqë me qeverinë e re, do të vendosë reciprocitet ndaj Serbisë.
Mustafa thotë se Serbisë nuk duhet dhënë më asnjë shans, dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post