Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka demantuar shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashin i cili kishte deklaruar se ish i Dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell u ka kërkuar që brenda shtatë ditësh ta rrëzojnë Qeverinë Kurti 1.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, theksoi se sa ai ka qenë kryetar i LDK-së, Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë që të rrëzohet Qeveria Kurti 1.
“Z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate. z. Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën (jo si emër i përveçëm) ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për ti dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe dialogut”, shkruan Mustafa, transmeton Telegrafi.
Tutje, ish-kryeministri Mustafa tha se i ka shkruar Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria.
“Jo se do ta rrëzojë Qeverinë por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në. Z. Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit , kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria”, shprehet Mustafa.
Ai tutje thotë se “Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve, e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve”.
“I falem zotit që jam gjallë dhe shëndosh nga mendja, për të mos lejuar spërkatje të tilla ndaj LDK-së dhe partneritetit me SHBA-të derisa unë isha kryetar i saj”, thuhet në shkrimin e Mustafës.Lexo po ashtu: https://mejdani.com/grenell-pergenjeshtron-arben-gashin-e-ldk-se-se-ka-kerkuar-rrezimin-e-qeverise-kurti/
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvend, Arben Gashi, ka thënë se ish i Dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti 1.
Sipas Gashit, ka mundur të shmangej rrëzimi i Qeverisë Kurti, por se pasojat do të ishin të mëdha për shtetin e Kosovës.
“Ne i kemi pasë në mënyrë të saktë, dhe të shkrume shtatë ditë për me rrëzu Qeverinë, dhe çdo ditë ka ardhur mesazh gjashtë, pesë, katër nuk ka kurgju hale të re, tri, dhe në mezi i kemi nxjerre edhe tri ditë tjera, nga Grenell, E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, deklaroi Gashi.