Shefi i shërbimit të inteligjencës ruse sot paralajmëroi për një skenar të mundshëm lufte, pas sulmeve të telekomanduara në dy fabrika saudite të kompanisë shtetërore të naftës, Aramco.
“Kërcënimi për skenarin e luftës sigurisht ekziston. Por shpresoj për një zgjidhje paqësore”, u tha Sergey Naryshkin gazetarëve në Moskë.
Edhe pse kanë kaluar tri ditë kur ditën e shtune u kryen disa sulme me dronë në dy fabrika të naftës së Aramco, shqetësimet në arenën ndërkombëtare vazhdojnë të jenë të tensionuera.
Siç shkruan AA, pas incidentit, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Irani qëndron prapa sulmit duke koordinuar sulmet me dronë, si dhe mediat amerikane që raportuan se opsionet e luftës janë diskutuar në Shtëpinë e Bardhë.
Të hënën, rebelët Houthi në Jemen morën përgjegjësinë për sulmin dhe paralajmëruan kompanitë e huaja dhe punëtorët që mos të afroheshin pranë njësive të kompanisë të cilat “mund të shënjestrohen përsëri”.
Në një deklaratë të veçantë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska po shqyrton ndikimin e mundshëm të incidentit si në tregjet e naftës ashtu edhe në sigurinë ndërkombëtare.
“Nuk ka asnjë informacion të besueshëm deri më tani, prandaj, koha është e nevojshme për analizë,” tha Peskov./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post