Presidentët e Iranit, Rusisë dhe Turqisë – Ebrahim Raisi, Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan – do të takohen sot ditë e marte në Teheran, takim ky të cilin Moska e vlerësoi si një mundësi të mirë për të diskutuar problemet rajonale dhe ndërkombëtare, njoftoi Kremlini.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov kujtoi se Putin do të mbajë një samit trepalësh me kolegët nga Turqia dhe Irani, vende garantuese të Procesit të Astanës nga viti 2017, i cili parashikon një zbatim më të lehtë të zgjidhjes siriane, transmeton Tass.
Krahas takimeve trepalëshe, në kuadër të samitit do të zhvillohen edhe takime dypalëshe, pas të cilave Putin do të kthehet në Moskë.
Peskov tha se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për bashkëpunimin strategjik midis Rusisë dhe Iranit mund të arrihet së shpejti.
Sipas tij, versioni rus i tekstit të marrëveshjes iu dorëzua palës iraniane në mes të qershorit, gjë që Teherani e vlerësoi.
“Shpresojmë që pas ndryshimeve shtesë dhe duke marrë parasysh mendimin e palës iraniane, do të jetë e mundur nënshkrimi i marrëveshjes në të ardhmen e afërt”, shtoi Peskov.
I pyetur për të komentuar mbi rritjen e mundshme të tregtisë midis Rusisë dhe Iranit nga 4 miliardë dllarët aktualë në 10 deri në 15 miliardë dollarë, Peskov tha se mund të jetë dukshëm më shumë.
“Presidenti rus është mbështetës i idesë se duhet të shkohet me qëllimet më ambicioze. Jam i sigurt se presidenti Putin beson se është e mundur të arrihet një shifër e lartë. Këto janë standarde reale për ne, potenciali i dy vendeve tona është i madh. Moska dhe Teherani duhet të punojnë shumë, jo vetëm në nivel dypalësh”, shtoi Peskov.
Ergodan niset për një vizitë zyrtare në Iran të hënën dhe në deklaratën e Ankarasë thuhet se ai dhe kolegu i tij Raisi do të bashkëkryesojnë takimin e shtatë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turko-Iranian më 19 korrik në Teheran, raporton Anadolia.
“Të gjitha aspektet e marrëdhënieve turko-iraniane dhe hapat e mundshëm që do të përmirësonin bashkëpunimin dypalësh do të diskutohen gjatë takimit të Këshillit, i cili do të mbahet me pjesëmarrjen e ministrave përkatës”, thuhet në deklaratë.