Kur në fund të vitit 2020, kompanitë amerikane të karburanteve fosile bënin përpjekje për ta marrë veten nga kriza e naftës e shkaktuar nga pandemia, dy goditje të reja ranë mbi këtë sektor të dëmtuar.
Shkruan: Derek Brower / Financial Times
Goditja e parë erdhi me lajmet nga Evropa, kur grupi i shërbimeve “Engie” – nën presionin e qeverisë franceze – e anuloi marrëveshjen për ta importuar gazin e lëngshëm natyror amerikan. Autoritetet vlerësuan se, për shkak të emetimeve të gazit serrë – të ndërlidhur me prodhimin e naftës dhe të gazit argjilor – ky gaz është shumë i ndotur. Kështu u mbyll tregu i rëndësishëm i eksportit për lëndët djegëse fosile të ShBA-së.
Pastaj, në nëntor, ndodhi zgjedhja e Joe Bidenit, e njeriut që u zotua si kandidat presidencial i “tranzicionit nga nafta”, i përcaktuar të frenojë shpimet e reja për naftën, të miratojë legjislacionin e ri gjithëpërfshirës për klimën dhe ta zhbëjë varësinë e Amerikës nga karburantet fosile. Historia do ta linte prapa naftën dhe gazin amerikan.
Por, kjo çështje tashmë ka ndryshuar. Për pak më shumë se një vit nën presidencën e Bidenit – teksa pushtimi rus i Ukrainës e shtoi frikën për mungesën globale të naftës e të gazit, dhe teksa qeveritë perëndimore po mësyjnë të gjejnë furnizime të reja – në tranzicion të ri po kalojnë si perspektiva për lëndët djegëse fosile amerikane ashtu edhe mënyra se si Shtëpia e Bardhë e sheh këtë çështje.
Të detyruar për t’u larguar nga nafta dhe nga gazi rus, duke u dobësuar nga çmimet në rritje të energjisë, Evropa iu kthye sërish gatishmërisë për gazin e lëngshëm amerikane. “Engie” veçse ka nënshkruar për më shumë dërgesa. Bideni njoftoi në mars për marrëveshjen e arritur me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyenin – marrëveshje kjo që garanton kërkesën e re afatgjate për karburantet fosile amerikane, “të paktën” deri në vitin 2030.
Çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 70 për qind qëkur Bideni ka marrë detyrën, duke shkaktuar kështu një problem të madh për demokratët në prag të zgjedhjeve të nëntorit për Kongres. Për shkak të kësaj, administrata që premtoi se do t’i jepte përparësi luftës klimatike, tani po e zhvillon betejën afatshkurtër për ta bërë më të lirë vazhdimin e djegies së karburanteve fosile.
“Tash për tash, zgjedhjet afatmesme janë forca shtytëse e politikës energjetike të ShBA-së”, thotë Amrita Sen, analiste për çështjet e naftës në grupin e konsulencës “Energy Aspects”. Gjithë kjo – që nga lëshimi i naftës emergjente e deri tek akuzat e kompanive të naftës për rritjen e çmimeve – është përpjekje “për t’u parë se po bën diçka”, shton Sen.https://ff4b319465bd5510ccf737189f5747b8.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
Rezultati është ajo që analistët e përshkruajnë si seri të shtrembërimeve të politikave. Administrata e cila brenda pak orëve të marrjes së detyrës – në vitin e kaluar – e zhbëri tubacionin “Keystone XL” për naftën e rëndë që kalon nëpër Kanada, tashti po kërkon më shumë naftë të papërpunuar nga regjimi autoritar e i sanksionuar i Venezuelës.
Presidenti i cili në fushatën e tij u zotua ta eliminonte nxjerrjen e naftës në tokat federale, tashti bën thirrje për më shumë shpime dhe kërkon t’i dënojë kompanitë që nuk prodhojnë siç kërkojnë kontratat federale. Administrata e cila do që njerëzit të blejnë automjete elektrike, për prodhimin e benzinës amerikane ka lëshuar vazhdimisht naftë nga rezervat e urgjencës – më të lirë se kudo në botën e zhvilluar, madje edhe më pak të kushtueshme.
Personelin e çështjeve klimatike Bideni e ka vënë në qendër të administratës, duke e emëruar John Kerryn – ish-sekretarin e shtetit – si të dërguarin e tij ndërkombëtar për klimën, si dhe ambientalisten e njohur Gina McCarthy, si këshilltaren kryesore të brendshme për klimën. Por, përderisa është thelluar kriza globale, Bideni u detyrua të mbështetet shumë më tepër tek ekspertët e energjisë në administratën e tij, disa prej të cilëve kanë përvojë me lëndët djegëse fosile – veçanërisht Amos Hochstein, ish-ekzekutiv i gazit natyror i cili tashmë është këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Zyrtarët dhe këshilltarët e administratës thonë se prioriteti i Bidenit mbetet klima dhe energjia e pastër. Ai tashmë e ka miratuar legjislacion e rëndësishëm për këtë infrastrukturë, me dispozitat për energjinë e pastër që merren me ndotjen nga metani dhe që e përcaktojnë rolin e SHBA-së në luftën globale për klimën.
Ata gjithashtu mendojnë se e ka një shans të mirë për t’i miratuar disa nga komponentët e energjisë së pastër dhe për ndryshime klimatike përmes projektligjit “Build Back Better” – që tashmë është dorëzuar në Kongres. Nëse ndodhë kjo, do të shënohet një moment i rëndësishëm në politikën e ShBA-së për klimën dhe për tranzicionin energjetik.
Por, sido që të jetë, ai fillimisht duhet të merret me krizën globale të furnizimit që mund të ketë ndikime aq të mëdha ekonomike sa edhe kriza e naftës e viteve 1970.
“Nuk mund të kesh tranzicion energjetik nëse je në mes të një krize energjetike”, thotë Jason Bordoff, ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë në kohën e Obamas, tani dekan i Shkollës Klimatike të Universitetit të Kolumbias. “Për ta siguruar mbështetjen e publikut për veprimet që duhet të ndërmarrim për ta reduktuar përdorimin dhe varësinë nga nafta dhe gazi, duhet të jeni të sigurt që njerëzit të mos jenë sot në panik për faturat e tyre të energjisë”.
Të tjerët janë të vetëdijshëm për urgjencën me krizën e çmimeve, por thonë se zgjidhjet që përfshijnë rritjen e tashme të furnizimit me lëndë djegëse fosile, mund të ndikojnë më vonë në përkeqësimin e krizës.
“Për dekada të tëra, shumica e politikëbërësve dhe e politikanëve kanë menduar se brenda disa muajve ia dalin mbanë me ndryshimet klimatike, por pas disa viteve ata u zbythën. Dhe, kurrë nuk do ta arrijnë synimin e plotë”, thotë Leah Stokes, eksperte e shquar e politikave klimatike dhe profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara. “Ndonjëherë është thjeshtë më e lehtë për njerëzit që ata t’ju kthehen përgjigjeve që veçse i dinë”.
Ekzekutivët amerikanë të karburanteve fosile – veçanërisht ata që synojnë më shumë eksporte të gazit të lëngshëm, përtej Atlantikut – i mirëpresin hapat e rinj të mbështetjes ndaj tyre. Charif Souki – kompania “Tellurian” e të cilit në Bregun e Gjirit të Luizianës po e ndërton një projekt të ri për gazin e lëngshëm – thotë se ka ndodhur një “ndryshim toni” që po pasqyrohet edhe në Wall Street.
“Po e ndryshojnë mendjen ata njerëz që nuk donin të shoqëroheshin me ne gjashtë muaj më parë”, thotë Souki. “Ishim ‘hidrokarbure’. Ishim ‘të pistë’ e gazi natyror ishte ‘i keq sa qymyri’. Tashti prapë jemi ‘të gjelbër’”.
Interesimi i administratës Biden për rritjen e çmimit të benzinës, u vërejt shumë kohë para se pushtimi rus i Ukrainës t’i çonte çmimet e referencës në nivelin më të lartë – që nga kriza financiare e vitit 2008.
“Nëse nuk kontrollohen çmimet e larta të benzinës, rrezikohet dëmtimi i rimëkëmbjes së vazhdueshme globale”, ka thënë gjatë gushtit të kaluar, këshilltari i Bidenit për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan – tetë muaj pas formimit të administratës së re – teksa u bëri thirrje prodhuesve të “OPEC”-ut, si Arabia Saudite, që të prodhojnë më shumë naftë. “West Texas Intermediate”, që është pikë referimi për çmimin e naftës në ShBA, atëherë tregtohej me rreth 67 dollarë për barel – që është shumë më ultë se çmimi i sotëm prej rreth 100 dollarëve për barel – ndërsa çmimet e benzinës në gjithë vendin atëherë ishin mesatarisht me më pak se 3.2 dollarë për galon – ose rreth 85 centë për litër. Që atëherë, çmimet janë rritur me më shumë se një të katërtën.
Por, për shkak të vrasjes së Jamal Khashoggit, Bideni gjatë fushatës premtoi se Arabinë Saudite do ta “flakte nga shoqëria”, gjë që e bëri të vështirë diplomacinë e mëvonshme. Sullivan, Brett McGurk – që është koordinator për çështjet e Lindjes së Mesme në Këshillin e Sigurisë Kombëtare – si dhe Hochstein, që të gjithë këta veteranë nga epoka e Obamas, për të diskutuar për naftën dhe për sigurinë e furnizimeve i nisën udhëtimet e rregullta në Riad dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe – ku shteti i fundit ishte një tjetër aleat ngurrues për të ta ndihmuar Bidenin me problemin e çmimeve të benzinës.
Hochsteini – i cili gushtin e kaluar u emërua si këshilltar i lartë i administratës për sigurinë energjetike – ishte zgjedhje e diskutueshme, por e zgjuar kur e ke e pasur parasysh krizën që do të shpalosej gjatë muajve në vijim. Ish-ushtari në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, i kaloi vitet tjera në administratën e Obamas duke i mbështetur eksportet e gazit të lëngshëm të “Tellurian”-it të Soukit. Më vonë punoi po ashtu si lobist energjetik në Uashington dhe si drejtor i “Naftogaz”-it – kompanisë shtetërore të energjisë ukrainase që ka qenë në qendër të mosmarrëveshjeve për furnizimin me gaz me Rusinë.
Përvoja e tij me karburantet fosile – si dhe e të tjerëve të punësuar nga administrata Biden – i nevrikosi demokratët progresivë dhe aktivistët e çështjeve klimatike, por Shtëpia e Bardhë tashmë e ka një përfaqësues që ka autoritet të flas – për energjinë globale – me drejtuesit e industrisë së naftës dhe me zyrtarët e lartë. “Është njeriu i duhur në kohën e duhur”, thotë një tjetër zyrtar i karburanteve fosile që ka punuar në administratën e Obamas.
Sipas Helima Croftit – ish-analiste e CIA-s që tani është drejtuese globale e strategjisë së mallrave në “RBC Capital Markets” – sauditët ishin të palëkundur, duke iu përmbajtur planeve të furnizimit me naftë dhe, ndër kushtet tjera, duke synuar marrëveshje më të gjerë e më të sigurt me ShBA-në.
Hochstein thotë se marrëdhënia me sauditët është në një “pozicion pozitiv”. “Nuk u kërkova rritje të prodhimit dhe ata nuk thanë jo”, thotë ai. “Mendoj se ka një tendencë për t’u fokusuar te kjo dramë, te kjo telenovelë e këtyre gjërave. Kjo tregon se ku jemi sot në bisedime”.
Në nëntor – me çmimet e naftës që vazhdonin të rriteshin dhe me mbretërinë e Lindjes së Mesme që nuk ishte e gatshme të ndihmonte – Bideni njoftoi për lëshimin e naftës së papërpunuar nga një rezervë emergjente federale, përpjekje e qartë kjo për ta përdorur një rezervë që ishte e mbyllur edhe gjatë ndërprerjeve të drejtpërdrejta të furnizimit – gjatë luftës si ajo në Libi në vitin 2011 – vetëm për t’i ulur çmimet në pompat amerikane.
Por, frika për kërkesat në rritje pas pandemisë – që po i tejkalojnë mundësitë e furnizimeve – po bën që çmimet e naftës të jenë ende në rreth 100 dollarë për barel e ato të benzinës në mbi katër dollarë për galon. Republikanët në Uashington e kanë nuhatur këtë moment duke e kundërshtuar “luftën e presidentit ndaj energjisë amerikane”, duke pretenduar se kufizimet e Bidenit në shpimet federale dhe rregullat e rënda federale për leje, po i përmbysin investimet në furnizimet e reja me naftë.
Kjo temë është e diskutueshme: vetë drejtuesit e naftës thonë se vet “Wall Street”-i – që kërkon nga prodhuesit të mbajnë nën kontroll shpenzimet e që t’i paguajnë dividentat – po e parandalon shtimin e shpimeve, e jo Shtëpia e Bardhë. Por, sondazhet tregojnë se Bideni ka një pjesë të fajit për këtë inflacion.
Administrata e hapi tashmë rrugën për t’i nxitur shpimet. “Prodhuesit e naftës argjilore, së bashku me mbështetësit e tyre financiarë, duhet të bëjnë gjithçka që duhet për ta rritur prodhimin e jo për t’i rritur dividentat”, tha Hochstein në intervistën e fundit për “Financial Times”. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara, në mënyrë kategorike nuk e pengon prodhimin shtesë të naftës”.
Jennifer Granholm – sekretarja e energjisë e administratës së Bidenit – e tha këtë në një fjalim të muajit të kaluar në Hjuston, në një dhomë të mbushur me ekzekutivë të naftës e të gazit. ShBA-ja tashmë është “me një këmbë në luftë”, u tha ajo atyre. “Në këtë moment krize kemi nevojë për më shumë furnizim me naftë … Kjo do të thotë të prodhoni më shumë, sa herë që mundeni”.
Që atëherë, Komisioni Federal i Rregullatorit të Energjisë ka hequr dorë nga rregulli i ri i propozuar në lidhje me klimën që i kishte dëmtuar tubacionet dhe kompanitë e karburanteve fosile – lëvizje kjo që shihet si karotë për këtë sektor. Por, Bideni muajin e kaluar e ka përdorur gjithashtu shkopin, duke i bërë thirrje Kongresit – kur njoftoi lëshimin e tretë emergjent – për të gjetur mënyra tjera për të vendosur gjoba ndaj kompanive që nuk i përdornin kontratat federale për shpimet për naftën. Zhvillimet e këtij ndryshimi ishin marramendëse.
“Baza e kësaj është pothuajse skizofrenike”, thotë Heidi Heitkamp, ish-senatore demokrate nga Dakota e Veriut, vend ky i pasur me naftë. “Duam të prodhojmë më shumë naftë, por gjithashtu duam të kritikojmë disa gjëra që po ndodhin … Keni takime me dyer të mbyllura ku [administrata] po thotë ‘ju lutem, ju lutem, ju lutem, duhet të vëni më shumë prodhime në ekonomi’, e në të njëjtën kohë ata po i tundin shpatat përjashta”.
Ndërkohë, kriza e plotë energjetike që po shpaloset përtej Atlantikut, ka ndoshta edhe më shumë ndikim në qasjen e Bidenit ndaj karburanteve fosile.
Kriza nisi vitin e kaluar, pasi prodhimi më i ulët – nga sa pritej – nga era dhe nga furnizimet me gaz nga “Gazprom”-i i Rusisë, i çuan në nivelet më të larta çmimet evropiane të energjisë elektrike dhe të karburantit. Administrata Biden u vu në veprim. Hochstein, duke e vizituar Ukrainën disa muaj përpara pushtimit, tha se “jemi në rrezik” pasi furnizimet po dështojnë, për çka nisi të punojë për të gjetur ngarkesa të reja të gazit të lëngshëm për ta ndihmuar plotësimin e kësaj mungese.
Gazi natyror papritur u kthye në dobi për Shtëpinë e Bardhë. Deri në mars – pasi BE-ja i kishte njoftuar planet për t’i shkurtuar importet e gazit rus – Hochstein dhe zyrtarët tjerë përpiqeshin t’i bindnin aleatët si Katari – prodhues i madh gazit të lëngshëm – dhe Japonia – importues i madh i gazit të lëngshëm – për të dhënë më shumë furnizime për Evropën. Pastaj erdhi marrëveshja e Bidenit me von der Leyenin, për t’i garantuar kërkesat afatgjate.
“Kur gjithçka thuhet dhe bëhet, ndryshimi i madh do të shfaqet në tregjet e gazit”, thotë Ernest Moniz, i cili ishte sekretar i energjisë në administratën e Barack Obamas. “Marrëveshja për Evropën për të siguruar treg të qëndrueshëm me 50 miliardë metra kub në vit – për gazin e lëngshëm të ShBA-së, deri në vitin 2030 – është angazhimi kryesor në drejtimin e eliminimit të gazit rus”.
Shkalla e krizës me furnizime, shton Moniz, e bën të jetë optimist se debatet për politikën i “shmangin izolimet” dhe se shtohen përfshirjet në gjetjen e zgjidhjeve si për sigurimin e energjisë ashtu edhe për ndryshimet klimatike.
Ekzekutivët nga sektori i gazit argjilor e çmojnë këtë ndryshim të dukshëm të Bidenit. “Duhet t’i përshëndesim ndryshimet që bëhen në këtë aspekt … duhet ta çmojnë faktin se njerëzit i kanë rivlerësuar vendimet e mëparshme”, thotë Toby Rice, shefi ekzekutiv i “EQT”-së që është prodhuesi më i madh i gazit natyror në ShBA. Rice ka lobuar tek politikanët që ta njohin gazin natyror si lëndë “të gjelbër” djegëse, sepse mund të zëvendësojnë qymyrit për të prodhuar energji elektrike. “Mendoj se do ta kemi mbështetjen e duhur për këtë politikë”.
Aktivistët e klimës janë më pak të entuziazmuar. Gazi i lëngshëm natyror është energji që përmban karbon nëse impiantet nuk i ndalin emetimet dhe nëse nyjat e tubave dhe të kantiereve nuk e ndalin rrjedhën e metanit që është gaz i fuqishëm serrë. Sipas tyre, si rezultat i krizës evropiane nevojitet infrastruktura e re për gazin e lëngshëm – si te impiantet e reja të eksportit në ShBA ashtu edhe te objektet e importit në Evropë – për ta mbajtur këtë karburant fosil për dekada të tëra në ekonomi.
“Nuk është lufta e parë e as e fundit ku shohim argumente oportuniste për industrinë e karburanteve fosile”, thotë Zorka Milin, këshilltare e lartë ligjore në “Global Witness”, avokuese për transparencë në industritë e nxjerrjes së naftës. “Emetimet e ciklit jetësor nga gazi i lëngshëm amerikan mund të jenë më të këqija se tubacioni i gazit rus”, shto ajo. “Gazi i lëngshëm i ShBA-së assesi nuk është përgjigjja … është motiv fitimi dhe interes vetjak që maskohet si patriotizëm dhe si solidaritet me Evropën”.
Marrëveshja e gazit të lëngshëm është shembull tjetër i vendimeve komplekse me të cilat përballet një administratë që duhet të peshojë ambiciet e saj klimatike kundrejt krizës gjeopolitike që vjen nga lufta brutale në tokën e Evropës.
Michael Regan, kreu i Agjencisë Federale për Mbrojtjen e Mjedisit, thotë se qeveria amerikane mund të “ecën para e të njëjtën kohë fare të mos bezdiset”: të japë sot më shumë lëndë djegëse fosile, por gjithashtu të përshpejtojë tranzicionin energjetik, për ta reduktuar në të ardhmen kërkesën për to. Bordoff, dekani i degës për klimën në Kolumbia, vëren se një ditë pasi ShBA-ja dha njoftimin për lëshimin e fundit nga rezervat e naftës – të dedikuara për ta bërë benzinën më të lirë – gjithashtu njoftoi për rritjen e re në standardet e ekonomisë së karburantit dhe për sistemin e automjeteve.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka bërë të qartë se duhet ta përshpejtojmë tranzicionin e energjisë”, thotë Hochstein. “Nuk mund të shkojmë drejt të ardhmes me varësinë nga lëndët djegëse fosile dhe nga vendet prej nga vijnë ato … E dimë se kjo nuk do të ndodhë në afat të shkurtër. Por, kryesorja është të arrijmë atje”./Telegrafi/