Këtë javë do të hartohet paketa e pestë e sanksioneve për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Por për aq kohë sa nuk preken furnizimet me energji, nuk mbetet shumë hapësirë veprimi.
Imazhet e shumë civilëve të vrarë nga qyteti verior i Ukrainës, Butsha pranë Kievit e kanë detyruar sërish Perëndimin të vihet në lëvizje: Synohet që krimet e pandehura ruse të luftës të mos mbeten pa u ndëshkuar, por që edhe të mos dilet ushtarakisht në krah të Ukrainës duke u bërë kësisoj palë luftë kundër Rusisë.
Pra sanksionet ekzistuese ekonomike dhe financiare duhet të ashpërsohen: “Ne në rrethin e aleatëve gjatë ditëve të ardhëshme do të vendosim masa të tjera”, tha kancelari Olaf Scholz të dielën (03.04). “Presidenti Putin dhe përkrahësit e tij do t’i ndiejnë pasojat.”
Qysh tani janë pezulluar llogaritë jashtë vendit të Vladimir Putinit dhe të shumë përkrahësve besnikë të tij, janë ndaluar eksportet për prodhimet hightech, disa banka ruse janë shkëputur prej sistemit ndërkombëtar të pagesave dhe portet si dhe hapësira ajrore europiane janë mbyllur për anijet dhe avionët nga Rusia. Çfarë mundësie sanksionesh ekzistojnë përtej masave të deritanishme? Sa të arsyeshme do të ishin masat shtesë?
Sanksionet e mëtejshme “jashtëzakonisht të vështira”
“Tani për tani mbetet relativisht pak hapësirë veprimi”, thotë David Sirakov, drejtor i Akademisë Atlantike të landit të Renani-Palatina. Për Perëndimin e veçanërisht për Gjermaninë do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë të vihen në fuqi të tjera sanksione, që do të mund t’i preknin edhe më fort të sanksionuarit”. Kjo ka të bëjë kryesisht me furnizimet me gaz”, thotë Sirakov.
Kancelari Olaf Scholz
Sa i përket gazit brenda BE-së Gjermania konsiderohet si frenuese. Tre vendet baltike Estonia, Letonia dhe Lituania nga 1 prilli i kanë ndërprerë tërësisht importet e gazit nga Rusia. Tani për tani ato i mbulojnë nevojat për gaz përmes rezervave të depozituara në Letoni, në maj Baltiku përmes një tubacioni do të lidhet me rrjetin europian të gazit. Gjermania në të kundërt në qendrimin e saj ndjek parimin: fillimisht sigurimi i furnizimeve alternativë, e pastaj anulimi i furnizimeve nga Rusia.
Industria kimike e Gjermanisë paralajmëron prej sanksioneve ndaj Rusisë: “Çdo kilovat orë, çdo fuçi gaz natyror, që i mungon prodhimit kimik, pakëson prodhimin në ndërmarrjet e tjera”, thotë Jörg Rothermel, drejtues i seksionit për energjinë dhe mbrojtjen e klimës në Shoqatën e Industrisë Kimikë, VCI . Pa sasinë e mjaftueshme të gazit mund të ketë mungesa në lëndët ngjitëse, llakun dhe bojërat. Po ashtu do të pakësohen plehërat kimike në bujqësi që duhen për prodhimet ushqimore, si dhe lëndë të posaçme artificiale.
A duhet të sanksionohet Banka Gazprom?
Qendra për realizimin e furnizimeve me energji janë institucionet monetare si Banka Gazprom. Britania e Madhe e ka sanksionuar në mars Bankën Gazprom; në BE deri tani kjo bankë nuk figuron në listat e sanksioneve. Jörg Krämer, kryeekonomist në Commerzbank, këshillon të mos ndërmerret një hap i tillë: “Perëndimi do të dëmtonte veten, nëse do të sanksionoheshin të gjitha bankat ruse, sepse në një rast të tillë importuesit perëndimorë të gazit nuk do të mund të shlyenin pagesat.”
Shumica e bankave të mëdha ruse prej sanksioneve të BE-së janë përjashtuar nga sistemi ndërkombëtar i pagesave Swift, që përpunon transaksionet në mbarë botën; Banka Gazprom qëllimisht nuk u përfshi në këtë paketë sanksionesh.
Banka Gazprom konsiderohet gjithashtu edhe si një instrument shtesë i rëndësishëm, qëkurse Kremlini vendosi direktivën për pagesën me rubla të furnizimeve të gazit: Blerësit e gazit nga Gjermania dhe vende të tjera në Europë vazhdojnë të paguajnë në euro dhe dollarë, por pagesat transferohen në rubla në koncernin amë Gazprom, i cili mbulon pjesën më të madhe të biznesit rus të gazit.
Disa vëzhgues argumentojnë, se Banka Gazprom ka marrë tani rolin e Bankës Qendrore ruse të sanksionuar ndërkohë nga Perëndimi. Të tjerë thonë, se me këtë mënyrë ka ndryshuar diçka – vëren edhe kryeekonomisti i Commerzbank: Përpara valutat ndodheshin tek Gazprom, ndërsa tani ato derdhen tek Banka Gazprom, thotë Krämer. “Kjo nuk ka ndonjë dallim të madh në një sistem, ku valuta mund të centralizohet per dekret.”
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck
Sanksione të mëtejshme në sektorin e teknologjisë?
Krahas tregut të financave po peshohet edhe sektori i mallrave të teknologjisë, deklaroi ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck të dielën në mbrëmje (03.04). “Eshtë sigurisht ende një mundësi, të shtohen edhe disa kategori prodhimesh”, thotë politologu Sirakov. Megjithatë shumë sektorë në Rusi qysh tani janë paralizuar, sepse ndërmarrjet në valën e sanksioneve financiare nuk po mund të furnizohen më me produkte nga jashtë./DW/