Lufta në Ukrainë; fundi i një bote e fillimi i një bote të re!
(Kërkoj mirëkuptimin tuaj pa dashur të ju kthej në tri javët e para të koronavirusit!)
Lufta në Ukrainë nuk është luftë si të gjitha luftërat. Është e veçantë, e përgatitur paraprakisht, në detaje dhe për një kohë të gjatë. Është pasojë e shkaqeve gjeopolitike dhe shkak për ndryshimet e mëdha historike që po vijnë. S’besoj se ka mbetur gjë pa u menduar mirë para fillimit saj, se ndodhë diçka rastësisht përgjatë saj, e se mund të ketë diçka që nuk dihet si do të jetë pas përfundimit të saj.
E shihni. Sot gjithkund në botë ka krizë. S’ka vend që nuk është prekur keq nga lufta në Ukrainë. SHBA-të, Kanadaja, Australia, vendet e Bashkimit Evropian e cili jo tjetër. Sistemi monetar i globit është tundur në themel. Në gjithë botën bankat qendrore janë duke i rritur normat e interesit ku dhe po zhvillohet një luftë e madhe kundër inflacionit. Ekonomitë e vendeve evropiane dhe e Amerikës po shkojnë në recesion pikërisht për ta ulur inflacionin.
Edhe nga qielli shihet qartë se periudha e globalizmit ka përfunduar me nisjen e luftës në Ukrainë. Viti 2022 po bëhet vit i fillimit të ndryshimeve dhe transformimeve historike. Ndarjet e reja të botës po rezultojnë tronditje, dhimbje e kriza të reja. Shtetet e vogla e të pafuqishme ta përballojnë këtë trend të ri të ndarjes së botës janë para momenteve shumë të vështira. Ani pse politikat udhëheqëse të këtyre vendeve nuk e thonë këtë. Jeta në tërësi po ngadalësohet. Qarkullimi i parave, mallrave dhe njerëzve gjithashtu. Përtej kësaj, ngritja e çmimit të energjisë do të shkaktojë probleme edhe më të mëdha. Furnizimi me gjëra të nevojshme e sidomos me ushqim pritet të jetë sfidë në vete.
Kina më nuk do të mund të jetë fabrika e botës për mallra të lira. Sepse as transporti nga atje nuk është më siç ka qenë më parë. Qasja e re e Perëndimit ndaj Rusisë, botës i ka shkaktuar probleme serioze. Fillimisht Evropës, më së shumti asaj, por edhe vendeve aziatike.
E kemi përmendur edhe më parë. Bota është në kërkim të rrugëve të reja të transportimit të mallrave. Për t’i shpëtuar ndikimit të fuqisë ruse dhe asaj kineze. Përveç kësaj, kompanitë e mëdha perëndimore do të detyrohen të prodhojnë më shumë, por edhe t’i ulin fitimet. Rrjedhimisht, do të ulet standardi i jetesës së njerëzve atje. E kjo nuk do të jetë e lehtë për ato shoqëri. Si preventivë, pritet dyfishimi i çmimeve të mallrave që prodhohen në ato vende. Gjë që mund të shkaktojë një krizë të re. Krizë në vete. Një krizë vërtetë globale.
Shtetet si Turqia dhe të tjera në rang me te, ka të ngjarë të përfitojnë si mirë. Këto shtete do të bëhen zëvendësuese të Kinës por me rregulla të reja të lojës. Ani pse Turqia dhe shtet si ajo janë sulmuar keq nga inflacioni dhe rritja e normave të interesit. Standardi i jetesës në ato vende ka rënë shumë.
Kthyer tek ne e duke e pranuar një fakt të hidhur: Shtetet e vogla që janë të varura kryesisht nga importi, do të pësojnë më së shumti. Jo vetëm në ekonomi e politikë, por edhe në rrafshe tjera shoqërore. Ato shtete do të tkurren shumë në popullsi. Do të detyrohen t’i ri-shqyrtojnë politikat e sigurisë, politikat e jashtme si dhe strukturat organizative të tyre. Që i bie se do të ketë ndryshime të mëdha gjithandej.
I lumi ai shtet i vogël që do t’i mbijetojë këtij rendi të ri botëror. Qoftë edhe vetëm si numër. Në të cilin rend vetëm fuqitë e mëdha do ta kenë fjalën. Mbase edhe në atë OKB-në e re që do të krijohet…!