Kryeministri Albin Kurti pas vizitës në Agjencinë Kosovare të Privatizimi ka numëruar katër pika të cilat ka thënë se janë sukseset e bordit të ri.
Pas një takimi me bordin, Kurti ka thënë se suksesi i parë është përgatitja e Strategjisë Përmbyllëse të AKP-së.
Ndërsa, si sukses të dytë ai ka thënë se është bërë identifikimi i aseteve të agjencisë që do të transferohen në Fondin Sovran.
“Patëm një takim përmbajtjesor me bordin e AKP-së. Më 6 gusht të vitit të kaluar është emëruar bordi i ri dhe konstatojmë se kemi pasur disa të arritura për interesin publik dhe ekonomik të Kosovës në mesin e të cilave janë përgatitja e Strategjisë Përmbyllëse të AKP-së, e ndjekur nga identifikimi i aseteve të cilat mund të transferohen në Fondin Sovran, të cilat bordi i ka identifikuar 2,364 asete ku është vlerësuar 1,653 prej tyre do t’i bartën Fondit, ndërkaq 731 do të vazhdojnë të mbesin në portofolin e AKP-së”, tha Kurti.
Sipas të parit të Qeverisë, suksesi i tretë është shkurtimi i shpenzimeve të AKP-së dhe aktivizimi i ndërmarrjes Brezovica.
“Suksesi i tretë është shkurtimi i shpenzimeve që janë bërë në vlerë të përgjithshme prej 2.6 milionë euro dhe e fundit është aktivizimi i ndërmarrjes Brezovica, duke e vënë atë në përputhje të plotë nën juridiksionin e Kosovës, ku me këtë rast do t’i hapet rruga investimeve për këtë qendër tejet të rëndësishme turistike”, ka përfunduar ai.