Kuvendi i Kosovës të enjten e shkarkoi bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thanë se kjo agjenci nuk i ka shërbyer ekonomisë së Kosovës.
Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se AKP-ja ka pasur një performancë të dobët në raport me investimet për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.
Por, si shkoi procesi i privatizimit në Kosovë?
Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Në Kosovë, nga 3.951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 1.762 prona, ndërkaq të pa privatizuara kanë mbetur edhe 2.189, thuhet në përgjigjen e AKP-së dërguar REL-it. Këto prona, në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.
Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës të quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.
Gjatë këtij procesi janë shitur edhe toka bujqësore, industriale, komerciale dhe toka ndërtimore. Në raportin e AKP-së, të publikuar në korrik të vitit të kaluar, thuhet se janë privatizuar 840 toka të këtyre kategorive.
Privatizimi i pronave nga politikanët
Prona të ndërmarrjeve shoqërore ose tokë të kategorive të ndryshme në Kosovë kanë blerë edhe përfaqësuesit politikë ose familjarët e tyre.
Kompania “Mabetex Projekt”, pronë e Behgjet Pacollit, më 2005 ka privatizuar ndërmarrjen shoqërore “Farmed” në vlerë prej 2.4 milionë euro.
Dy vjet më vonë, kjo kompani ka blerë edhe një ndërtesë administrative “Ramiz Sadikun” në vlerë prej një milion euro. Vetëm një vit më vonë, Behgjet Pacolli themeloi partinë Aleanca Kosova e Re. Pas këtij vit, Pacolli mbajti postin e presidentit, atë të zëvendëskryeministrit, të ministrit të Punëve të Jashtme dhe postin e deputetit.
Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, më 12 mars 2010, në fshatin Irzniq, në Komunën e Deçanit, ka blerë rreth 200 (1,988,670.0 m2 ) hektarë tokë bujqësore, në vlerë prej 70 mijë eurosh, apo 350 euro për hektar. Partia e tij, në atë kohë ishte në opozitë.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj më 2009 kishte privatizuar rreth 220 hektarë tokë bujqësore (apo 2,195,231.00 metra katrorë) në vlerë prej 257 milionë euro. Po të njëjtin vit, ai po ashtu kishte privatizuar 476 tokë bujqësore në fshatin Rakoc të Gjakovës në vlerë prej 817 mijë euro.
Nasim Haradinaj aktualisht gjendet në paraburgim në Hagë nën dyshimet për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Ilaz Selimi, vëllai i ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, në vitin 2006 ka privatizuar me metodën e spin-off special, ndërmarrjen “Dardania” në Komunën e Klinës në vlerë prej 201 mijë euro.
Kurse, në vitin 2009, Ilaz Selimi ka privatizuar rreth 194 hektarë tokë (1,938,747.0 m2) në fshatin Jashanicë, të Komunës së Klinës në vlerë prej 101 mijë euro.
Rexhep Selimi nga viti 2000 deri në 2003 ka qenë komandant i Akademisë së Mbrojtjes dhe komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Kurse deri në vitin 2005 ka qenë sekretar i përgjithshëm i AAK-së, pozitë nga e cila më pas u dorëhoq. Më 2010 ai iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës.
Edhe Selimi, që nga nëntori i vitit të kaluar, gjendet në paraburgim në Hagë nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të ngritura nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në vitin 2005, “Vëllezërit Geci SH.P.K”, kompani ku njëri prej aksionarëve është edhe Gani Geci, ish-deputetë në Kuvendin e Kosovës nga Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka privatizuar fabrikën e tullave “Përparimi LLC” në Skenderaj, me metodën spin-off special, në vlerë rreth 2 milionë euro.
Kurse në vitin 2009, kompania “Vëllezërit Geci” ka privatizuar tokë bujqësore në fshatin Klinë e Poshtme rreth 92 hektarë (919,575.00 metër katrorë) në vlerë prej 200 mijë euro. Po ashtu, në fshatin Turiqevc, kjo kompani për 155 mijë euro ka privatizuar 215 hektarë (2,156,916.00 metër katrorë) tokë bujqësore.
Djegia e dokumenteve të AKM-së
Në gusht të vitit 2008, me fillimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nga zyrtarët e saj, në oborrin e ndërtesës së ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit janë gjetur dokumente të djegura, ndërsa në zyre nuk ka pasur asnjë dokument dhe as pajisje teknike.
Djegie e këtyre dokumenteve nuk është hetuar asnjëherë.
Vdekja e Dino Asanaj
Teksa po vazhdonte procesi i privatizimit, vdiq Dino Asanaj, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe njëherësh shtetas amerikan. Asanaj u gjet në perfieri të Prishtinës, në zyrën e tij private pa shenja jete, më 14 qershor 2012.
Institucionet qendrore ndërkombëtare e vendore dhe subjektet politike, në reagimet e tyre, në atëbotë, vdekjen e Asanajt e patën cilësuar si vrasje.
Por, mjekët ligjorë në Kosovë kanë thënë se në bazë të autopsisë, Asanaj ka bërë vetëvrasje, duke i shkaktuar vetes 11 prerje dhe therje me thikë. Rezultatet e autopsisë i kishte konfirmuar edhe Misioni evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Kontestet gjyqësore
Gjatë procesit të privatizimit, sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, rreth 25 mijë lëndë janë në procese gjyqësore, prej të cilave 20 mijë lëndë trajtohen në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, që kanë të bëjnë me konteste që lidhen direkt me asetet e ndërmarrjeve shoqërore dhe punën e AKP-së. Në këto konteste, ndërmarrjet shoqërore dhe AKP-ja janë si palë ndaj të cilave është ngritur padi.
Gjithashtu, pranë gjykatave të rregullta të Republikës së Kosovës ekzistojnë 5 mijë lëndë të cilat janë iniciuar nga AKP-ja për interes të ndërmarrjeve shoqërore. Në këto konteste, AKP-ja si përfaqësuese e ndërmarrjet shoqërore, është si palë paditëse.
Hetimet parlamentare
Procesi i privatizimit ka përfunduar edhe në një Komision hetimor parlamentar, në pjesën e dytë të vitit të kaluar. Ky komision ishte formuar me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Komisioni kishte nisur hetimin e procesit të privatizimit që nga fillimi i punës të ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që u pasua nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Për privatizimin të pronave të ndërmarrjeve publike, komisioni parlamentar hetimor kishte ftuar 21 dëshmitarë, përgjegjës të procesit të privatizimit.
Komisioni nuk ka dhënë konstatime përfundimtare lidhur me atë se çfarë shkeljesh të procedurave apo keqpërdorimeve eventuale mund të kenë ndodhur në procesin e privatizimit. Mirëpo, është thënë se ekzistojnë indikacione të mjaftueshme që bëjnë të besojnë që procesi i privatizimit përgjatë afër dy dekadave është përcjell me një numër të madh të parregullsive.
Komisioni nuk ka përfunduar punën pasi Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 6 janar. Shpërndarja e parlamentit pasoi vendimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që tha se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese./Telegrafi.com/