Pozita strategjike e Turqisë ka bërë që ky vend përgjatë historisë të luaj një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet mes civilizimeve, popujve të ndryshëm dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, shkruan Gazeta Mejdani.
Përgjatë shekujve të kaluar, por edhe sot, regjioni ku është e shtrirë Turqia ka reflektuar vazhdimisht në balancat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të botës.
Aq më shumë, sidomos viteve të fundit, për shkak të hovit të madh në zhvillimet e saj ekonomike dhe strategjike, trashëgimtarja e Perandorisë Osmane ka arrit të rrikthehet sërisht në “tavolinën” ku vendoset për shumë gjëra të globit. Sidomos për regjionin e Kafkasit, Lindjes së Mesme dhe Ballkanit.
Dje, Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka folur për rolin e rëndësishëm të vendit të tij në balancat mes fuqive të botës.
Ai ka deklauar se Turqia nuk mund të lërë pas dore Azinë dhe Afrikën teksa zhvillon marrëdhëniet e saj me Evropën.
Duke iu drejtuar Forumit 12. Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifaks (HISF) të Kanadasë me një videomesazh, Erdogani theksoi se është e gabuar dhe e pamundur që Turqia, e cila është një vend Afro-Euroaziatik në aspektin gjeografik, të “burgoset” në një kornizë të ngushtë në diplomaci.
“Ne s’mund të kemi luksin që t’i kthejmë shpinën as Lindjes dhe as Perëndimit. Teksa zhvillojmë marrëdhëniet tona me Evropën, ne s’neglizhojmë as Azinë dhe as Afrikën. Bashkëpunimin tonë me Rusinë, i cili po thellohet kohëve të fundit, ne s’e shohim si alternativë të lidhjeve tona rrënjësore me Amerikën. Një rëndësi të madhe i kushtojnë veçanërisht pozicionit tonë në NATO, ku jemi anëtarë prej 68 vitesh. Kufijtë e Turqisë janë njëherësh edhe kufij të NATO-s. Sot ne marrim përgjegjësi kritike si një aleat i besuar përballë sfidave dhe kërcënimeve të reja, me të cilat përballet NATO-ja. Ne s’lejojmë që ky fakt të errësohet dhe të vihet në pikëpyetje nga motive të ngushta politike. Teksa mbrojmë të drejtat dhe interesat e vendit tonë dhe aleatëve tanë, është e gjithashtu natyrshme që ne të presim të njëjtën ndjeshmëri dhe frymë solidariteti nga aleatët tanë”, u shpreh kreu i shtetit turk.
Mes të tjerash, Erdogani tha se dëshiron të nënvizojë sidomos vullnetin e Turqisë për të vazhduar me përkushtim luftën e saj kundër kërcënimeve ndaj sigurisë, stabilitetit dhe paqes ndërkombëtare./Gazeta Mejdani/