Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dalë më një deklaratë të përbashkët për situatën e krijuar javëve të fundit në Kosovë.
Këto të fundit i kanë dalë në krah Kosovës, duke e mbështetur në luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.
“Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër, është e papranueshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Gjithashtu, SHBA-të dhe BE-ja kanë inkurajuar palët që të angazhohen në zbutjen e tensioneve.
“Pas tensioneve të javëve të fundit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në një shtensionim të qëndrueshëm dhe të evitojnë veprimet, të cilat kërcënojnë stabilitetin”, thuhet në këtë deklaratë.
Por, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell, ditë më parë nuk e ka pasur këtë mendim sikurse të BE-së dhe të SHBA-ve. Ky i fundit, disa ditë pasi u zhvillua ky aksion që u përfshi në disa qytete të Kosovës, u shpreh se ishte i “njëanshëm” nga pala e Kosovës.
Ndërkaq, njohës të çështjeve politike dhe juridike, janë shprehur se deklarata e përbashkët e BE-së dhe e SHBA-ve është e drejtë. Ndërkaq, sa i përket deklaratës së Borrell-it, ata shprehen si ai ka treguar anshmëri.