Marrëdhëniet mes kombeve janë si ato mes njerëzve. Nisin të ndrojtura për shkak të mosnjohjes, të largësisë, të ndryshimeve në zakone, të gjuhës, por edhe në interesa.
Shkruan: Paskal Milo
Njohja është proces i ndërsjellë dhe bëhet e mundur kur ka vullnet e dëshirë. Për kombet e vogla është më e vështirë se janë të paragjykuar, të pafuqishëm e me interesa të kufizuara. Të mëdhenjtë imponohen se kanë fuqinë, por ajo jo gjithnjë prodhon mirëbesim e respekt te të vegjlit. Ashtu sikurse dihet se ka edhe popuj të vegjël që kanë fituar besimin e mbështetjen e të mëdhenjve.
Shqiptarët dhe amerikanët janë dy popuj që kanë histori e formim kombëtar të ndryshëm, që dallojnë shumë mes tyre e që janë larg me njëri-tjetrin. Megjithatë, mes tyre ka një marrëdhënie disi të veçantë, të kultivuar gradualisht në mbi një shekull. Është një marrëdhënie asimetrike për hir të së vërtetës e kushtëzuar nga faktorë objektivë gjeografik, historik, ekonomik, politik etj. Shumica e shqiptarëve të rritur i njohin dhe e dinë se çfarë përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që një pjesë e vogël e amerikanëve mund të dinë se ku bie e çfarë është Shqipëria. Natyrshëm, është privilegji i të mëdhenjve, i të fuqishmëve, i të pasurve në përgjithësi. Por kriteret për të matur vlerat e një kombi nuk janë vetëm këto dhe shqiptarët kanë dëshmuar se bartin cilësi unike shpirtërore, morale e karakteriale.
Ka një ndryshim thelbësor për motivet dhe mënyrën se si filluan ta njohin njëritjetrin dhe si u zhvilluan marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe amerikanëve përgjatë historisë. Shqiptarët i njohën Shtetet e Bashkuara si vendin e shanseve të mëdha, të mirëqenies, të mundësive të barabarta. Ata, si komb i vogël, të vonuar në shtetformim e në vetëqeverisje, të kërcënuar nga fqinjët për territoret e tyre, mosbesues ndaj fuqive evropiane, i panë Shtetet e Bashkuara si mbrojtësin më të paanshëm e më të sigurt. Me një dëshirë naive por edhe idealiste një shumicë e shqiptarëve që nga Lufta e Parë Botërore e pas saj kërkuan që Shqipëria të vendosej nën protektoratin amerikan. Në atë kohë, kjo ide u nda edhe me shtetas amerikanë, filantropë, misionarë e miq të Shqipërisë që jetonin e punonin aty. Në mes tyre u shqua Erikseni, i cili shkroi një traktat që ia dërgoi edhe Departamentit të Shtetit, në të cilin argumentonte gjashtë arsye përse Shqipëria duhej të vendosej nën protektoratin amerikan.
Element thelbësor që farkëtoi besimin e mirënjohjen e shqiptarëve ka qenë komuniteti shqiptar që u krijua gradualisht në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga vitet e para të shekullit XX-të. Ai u bë ura e komunikimit, e ndërlidhjes dhe e marrëdhënies midis atdheut të vjetër shqiptar me “botën e re” amerikane. Nga gjiri i tij dolën atdhetarë, udhëheqës, mendimtarë dhe aktivistë të shquar kombëtarë. Ata u formuan e vepruan si të tillë në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Shqipëri. Në historinë moderne shqiptare ata kanë një rol të pazëvendësueshëm, u bënë përçues të ideve progresive, amerikane, të kulturës e të mënyrës amerikane të të menduarit.
Aq thellë ishte e rrënjosur bota amerikane në ndërgjegjen e shqiptarëve saqë as izolimi komunist gati gjysmë shekullor nuk i këputi lidhjet shpirtërore mes tyre. Shqiptarët prisnin duke jetuar mes shpresës dhe ëndrrave se do të vinte ajo ditë që ata të ndiheshin të lirë për të shprehur atë ndjenjë të ndrydhur në shpirt si “mollë e ndaluar”. Dhe ajo ditë erdhi dhe ajo ndjenjë shpërtheu në mënyrë po kaq spontane, kaq natyrshëm saqë vështirë se mund të gjendet një rast i dytë kur në një ditë qershori të vitit 1991 në Tiranë, zbriti për herë të parë një Sekretar i Departamentit të Shtetit. Fati e privilegjoi Xhejms Bejkerin që të përjetonte pritjen më entuziaste në jetën e tij.
Jetë, miqësi e familje të ndara u ribashkuan, kujtimet e vjetra të së shkuarës u rigjallëruan. Komuniteti shqiptaro-amerikan u rifreskua me dhjetëra e qindra mijë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Mal i Zi e Maqedonia e Veriut. Gjaku i ri shqiptar në Shtetet e Bashkuara i dha një dimension tjetër, shumë më të madh e më cilësor komunitetit shqiptaro-amerikan, e bëri faktor të qëndrueshëm fizik e shpirtëror të një marrëdhënie që i ka kapërcyer kufijtë e interesave e të partneritetit politik e strategjik shqiptaro-amerikan. Amerikën e duan shumë kombe, por jo pak edhe nuk janë në marrëdhënie miqësore me të. Globalizmi ka tendencë të eliminojë kufijtë e t’i afrojë njerëzit dhe popujt. Por rasti i shqiptarëve me afeksionin e tyre proverbial ndaj Shteteve të Bashkuara nuk është as fenomen globalizmi, as edhe servilizëm apo shfaqje përulësie e të voglit ndaj të madhit. Është një fenomen sui-generis, një popull pro amerikan deri në gjene. Është një rast tipik që duhet studiuar më thellë e në përmasa gjithëpërfshirëse.
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë një referencë historike që qëndron si gur themeli i tyre. Ajo është figura emblematike e Udro Uillsonit e Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara në vitet 1912-1920, një nga presidentët më idealistë të historisë amerikane. I ardhur nga bota akademike universitare në krye të Shtëpisë së Bardhë, Uillsoni i dha presidencës së tij një qasje të re në përfundim të Luftës së Parë Botërore, humaniste e pacifiste. Për herë të parë një president amerikan kapërceu izolacionizmin tradicional të Shteteve të Bashkuara dhe doli para botës si një apostull i paqes dhe i sigurisë ndërkombëtare. Në janar 1918, duke shpallur platformën e tij prej 14 pikash për ndërtimin e arkitekturës së re të sigurisë të pas Luftës, ai vuri në qendër të saj të drejtën e popujve për vetëvendosje.
Ky ishte një parim i madh dhe me jehonë të jashtëzakonshme për kohën. Ky parim bazë është arsyeja themelore morale, mbi të cilën u ngrit simpatia dhe mbështetja shpëtimtare e Presidentit Uillson për shqiptarët. Presidenti amerikan këtë parim u përpoq ta zbatojë për të gjithë popujt dhe vendet e vogla, përfshirë edhe ata të Ballkanit. Në rastin e Shqipërisë ndërhyrja e tij ishte e jashtëzakonshme sepse nëse vendet e tjera kërcënoheshin të humbitnin disa territore që nuk vinin në dyshim unitetin territorial të tyre, shqiptarët nga memorandumi anglo-frankoitalian i 14 janarit 1920 rrezikoheshin të zhdukeshin si komb.
Kundërshtimi epik i Uillsonit kundër copëtimit të Shqipërisë në shkurt-mars 1920 ishte thellësisht parimor dhe nuk ka qenë thjesht një “hoby” i tij për shqiptarët siç edhe mund të jetë konsideruar. Sigurisht, ai kishte ndjenja simpatie për ta dhe i kishte manifestuar ato në mjaft raste, por nuk ishin ato që e udhëhoqën atë në qëndrimet e tij. Uillsoni krijoi traditën e vështrimit pozitiv të çështjes shqiptare në politikën amerikane dhe kjo është një meritë e madhe dhe historike e tij. Presidentë të tjerë amerikanë më vonë ecën në gjurmët e tij.
Një President tjetër i madh siç ishte Franklin Delano Roosevelt në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore rimori kauzën e vetëvendosjes së popujve si një nga shtyllat ku u mbështet krijimi i Kombeve të Bashkuara Antifashiste. Roosevelt dhe administrata e tij ishin të vetmit mes Fuqive të Mëdha që dënuan hapur agresionin dhe pushtimin italian të Shqipërisë në 7 prill 1939. Shtetet e Bashkuara nuk vunë asnjëherë në dyshim pavarësinë dhe integritetin e ardhshëm territorial të Shqipërisë, mbështetën forcat antifashiste nacionalçlirimtare hapur e me furnizime ushtarake dhe dërguan Mision tek UNÇ. Roosevelti shfaqi gjatë Luftës dëshirë dhe gatishmëri për të integruar Shqipërinë në strukturat e reja ndërkombëtare që po projektoheshin por nuk këmbënguli dhe as nuk mund të kundërshtonte qëndrimin e padrejtë të aleatit të tij të madh, Uinston Çurçillit, me të cilin e lidhnin interesat strategjike të Aleancës Antifashiste.
Shtetet e Bashkuara u zhgënjyen nga qëndrimet militante ideologjike dhe politike që mbajti regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Peng i aleancave lindore sovjetojugosllave, Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij braktisën traditën historike të orientimit perëndimor të Shqipërisë. Rreshtimi në bllokun sovjetik gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë e ekspozoi Shqipërinë para rreziqeve e privacioneve që ajo imponoi dhe vendosi perden e hekurt që mohoi e pengoi rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e Shteteve të Bashkuara. Por nuk ndaloi ndjenjat e ngrohta të miqësisë e të respektit që shqiptarët ushqenin për Shtetet e Bashkuara e për popullin amerikan, për vlerat e lirisë e të demokracisë. Në heshtje e thellë në ndërgjegjen e shqiptarëve këto vlera shërbyen si burime inkurajimi për durim e mbijetesë.
Shtetet e Bashkuara nuk mbetën indiferente ndaj Shqipërisë në periudhën e Luftës së Ftohtë. Në mungesë të marrëdhënieve diplomatike përmes burimeve të tërthorta e të treta diplomatike ato siguronin një informacion të mjaftueshëm për zhvillimet në Shqipëri mbi bazën e të cilit bëheshin analizat e përcaktoheshin qëndrimet. Jo të gjithë e dinë se të dy vendet gjatë Luftës së Ftohtë kanë tentuar të rivendosin marrëdhëniet diplomatike disa herë. Më së shumti iniciativat vinin nga Departamenti i Shtetit por tre –katër herë edhe nga regjimi komunist shqiptar. Në kohën e ndarjes me sovjetikët, në vitet 1962-1963, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhon Kenedi dhe sekretari i tij i shtetit Din Rusk u interesuan në mënyrë aktive për t’i dhënë mesazhe e për ta afruar regjimin shqiptar. Në vitet 1972-1973, pas afrimit kino-amerikan, administrata e Presidentit Riçard Nikson i shtriu dorën qeverisë së Tiranës që të rivendoseshin marrëdhëniet midis dy vendeve e të ecej sipas formulës e modelit kinez. Akoma edhe më intensive u bënë këto përpjekje në vitet ‘80-të kur vetë ishPresidenti Riçard Nikson e një numër senatorësh e kongresmenësh amerikanë tentuan të vizitojnë Shqipërinë.
Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989 shënoi fillimin e ndryshimit epokal të rënies së komunizmit. Në Shqipëri, kjo ngjarje historike u përjetua me shpresa të mëdha nga shumica e shqiptarëve dhe me frikë e tronditje të thellë nga regjimi. Kjo ndjenjë e dyfishtë e kontradiktore nuk mund të bashkëjetonte gjatë. Regjimi komunist u përpoq të përshtatej e të zgjaste agoninë e tij. Filloi të hapej me ritme të ulëta e të kontrolluara. Një prej tyre ishte edhe vendimi i nomenklaturës më të lartë komuniste në prill 1990 për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara.
Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në 15 mars 1991, vizita dhe pritja spektakolare që i bënë shqiptarët Sekretarit të Shtetit, Xhejms Bejker, në 22 qershor të atij viti rizgjuan emocionet e miqësisë së vjetër dhe hapën epokën e një marrëdhënie që vetëm do të forcohej e do të konsolidohej nga viti në vit. Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, George H. W. Bush i bindur për ndjenjat pro amerikane që shqiptarët dëshmuan i dha Partisë Demokratike të Shqipërisë mesazh dhe mbështetje të hapur për të kryer rrotacionin historik politik në vend. Rivali dhe pasardhësi i tij demokrat, Bill Klinton, ndau të paktën në rastin e Shqipërisë e të shqiptarëve të Kosovës të njëjtën qasje. Që të dy e paralajmëruan Millosheviçin serb të Jugosllavisë së vjetër se Kosova ishte vija e kuqe, kapërcimi i së cilës do të kishte rrjedhoja të rënda për regjimin e tij dhe personalisht për të.
Në analizën time, Presidenti Bill Klinton në vitet 1998-1999 jo vetëm që u ngrit në nivelin e Presidentit Uillson, por edhe e tejkaloi atë në përkushtimin ndaj kombit shqiptar. Nëse Uillsoni ndaloi që Shqipëria e 1913 të copëtohej e ndofta të zhdukej nga harta politike e Ballkanit, Bill Klinton korrigjoi vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe u dha shansin shqiptarëve të Kosovës të gëzonin lirinë dhe integritetin e tyre. Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, eci në traditën më të mirë të paraardhësve të tij kur udhëhoqi vendimmarrjen e NATO-s për pranimin e Shqipërisë si anëtare e kësaj organizate të fuqishme politike e të sigurisë dhe mbështeti pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Ishte ky President, i pari në detyrë që vizitoi Shqipërinë dhe marrëdhëniet me të i cilësoi si “një nga bazat themelore të politikës së Shteteve të Bashkuara në Ballkan”.
Nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët të Partneritetit Strategjik midis të dy vendeve në vitin 2015 shënoi një pikë kulmore në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Kjo deklaratë reflektoi bashkëpunimin miqësor dhe partneritetin e ngushtë midis dy vendeve dhe qëllimin e përpjekjeve të tyre për të ardhmen. Aty u nënvizua se “Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerë të fuqishëm për paqe globale dhe stabilitet”, se ato synojnë të thellojnë marrëdhënien mes tyre në favor të të dyja kombeve dhe të zgjerojnë bashkëpunimin përmes një spektri të gjerë prioritetesh të ndërsjella. Shtatë vite më vonë pas nënshkrimit të këtij dokumenti të rëndësishëm, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë provuar të jenë në një nivel tej parashikimeve të bëra. Bashkëpunimi në Këshillin e Sigurimit, përputhshmëria e plotë e qëndrimeve ndaj agresionit rus kundër Ukrainës si dhe prania e shtuar e NATO-s në Shqipëri e kanë trupëzuar Partneritetin Strategjik në mënyrë konkrete, të ndjeshme e të prekshme.
Partneriteti Strategjik shqiptaro-amerikan nuk ka vetëm dimensionin global, ndërkombëtar e rajonal të bashkëpunimit por edhe atë të brëndshëm në rastin e Shqipërisë.Në Deklaratën e Përbashkët ka zënë vënd synimi i Shqipërisë që përmes ekspertizës së Shteteve të Bashkuara të realizohet reforma në drejtësi, të fuqizohet administrata publike, të thellohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të luftohet trafikimi i personave dhe i narkotikëve, i pastrimit të parave dhe i krimit kibernetik.
Angazhimi amerikan në forcimin e demokracisë e të shtetit ligjor, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e fenomeneve të tjera negative në një vend partner strategjik si Shqipëria nuk është vetëm në interes të saj por edhe të vetë Shteteve të Bashkuara, të sigurisë së tyre. Partneritet Strategjik do të thotë të ndahen sfida të përbashkëta të sigurisë, aq më tepër si dy vende anëtare të NATO-s. Dobësitë e Shqipërisë si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor në çështje të sigurisë së brendshme ndikojnë siç edhe ka deklaruar Presidenti Xho Bajden edhe në sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Kjo lidhje direkte e ndikimit të ndërsjelle të sigurisë në vendet partnere është bërë edhe më e dukshme në rrethanat e agresionit rus kundër Ukrainës e të kërcënimeve të tij për sigurinë evropiane e atë ndërkombëtare. Investimi amerikan në Shqipëri edhe kur shfaqet me objektiva të personalizuara ka mesazhe sigurie në interes të Partneritetit Strategjik. Çdo lëvizje e politikës amerikane në Shqipëri në thelbin e saj është një garanci sigurie ose një kalkulim strategjik me efekte afatmesme dhe afatgjata. Përqendrimi i vëmendjes amerikane për të ndërtuar një infrastrukturë moderne ushtarake ajrore e detare të NATO-s në Shqipëri, shkon në logjikën e realizimit të këtij synimi.
Vëzhgimi i trajektores shekullore të marrëdhënieve shqiptaro – amerikane lejon të bëhen disa përgjithësime. Mes tyre mund të veçohen këto:
I. Nëse Shqipëria 100 vite më parë konsiderohej nga Shtetet e Bashkuara një vend me status të dyshimtë pavarësie, integriteti territorial dhe aftësie vetëqeverisëse, sot ajo çmohet prej tyre si një shtet sovran, i lirë dhe me institucione të konsoliduara e përfaqësuese të vullnetit të popullit shqiptar.
II. Nëse 100 vite më parë prezenca amerikane në Shqipëri ishte një grusht njerëzish misionarë, filantropë, mjekë, infermierë dhe edukatorë, sot ajo është gjithëpërfshirëse dhe e kudondodhur.
III. Nëse 100 vite më parë në Shtetet e Bashkuara jetonin rreth 30 mijë shqiptaro-amerikanë, sot aty numri i tyre ka arritur disa qindra mijëra vetë. Nëse ata në atë kohë kryesisht ishin punëtorë, sot statusi i tyre social dhe ekonomik nuk ka të krahasuar e në mes tyre shkëlqejnë talente dhe njerëz me kontribute të jashtëzakonshme në të gjitha fushat.
IV. Nëse 100 vite më parë Shqipëria u shpëtua nga vullneti dhe vizioni i një njeriu të vetëm, i Presidentit Woodrow Wilson, sot ajo ka një marrëdhënie të konsoliduar zyrtare me të gjitha institucionet qendrore të Shteteve të Bashkuara, Shtëpinë e Bardhë, Kongresin, Departamentin e Shtetit dhe me agjenci të tjera zyrtare amerikane.
V. Nëse 100 vite më parë Shqipëria ishte e vetmuar në politikën ndërkombëtare të dominuar nga Fuqitë e Mëdha evropiane e viktimë e kombinacioneve të tyre diplomatike, sot ajo gëzon mbështetjen dhe mbrojtjen e fuqisë më të madhe botërore, Shteteve të Bashkuara, por edhe të BE e të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë.
VI. Nëse 100 vite më parë në Shqipëri nuk njihej modeli i demokracisë amerikane, ndofta as edhe si koncept, sot ajo është bërë shkolla nga ku huazohen parime, koncepte e praktika për ndërtimin e konsolidimin e demokracisë e të shtetit ligjor shqiptar.
VII. Nëse 100 vite më parë Shtetet e Bashkuara nuk ishin të angazhuara në ndërtimin e brendshëm demokratik të shtetit shqiptar, 100 vite më vonë ato janë plotësisht të përfshira në asistimin për funksionalizimin, demokratizimin dhe modernizimin e institucioneve të tij, veçanërisht të drejtësisë e të administratës publike, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
VIII. Nëse shqiptarët e viteve ‘20-të të shekullit të kaluar, mirënjohës pa fund për mbrojtjen nga Shtetet e Bashkuara të pavarësisë e të integritetit territorial të vendit, nuk kishin mundësi që për shkak të dobësisë së tij por edhe të koniunkturës ndërkombëtare të bëheshin aleatë besnikë të tyre, tani situata është krejt ndryshe: Shqipëri është partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara dhe në aleancë me to në NATO. Ndër të gjitha aleancat që Shqipëria si shtet i pavarur e në kohë paqësore ka aderuar, italiane, jugosllave, sovjetike dhe kineze, ajo ka qenë e kushtëzuar, e trajtuar më tepër si një bazë mbështetëse për objektiva që nuk kishin lidhje me interesin kombëtar shqiptar. Sot Partneriteti Strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n ka frymën e barazisë e të transparencës.
IX. Nëse aleancat e mëparshme shqiptare me Fuqi të tjera synonin të garantonin pushtetin e regjimit ekzistues, Partneriteti Strategjik shqiptaro-amerikan sot në asnjë frazë, fjalë apo germë të shkruar dokumentare të tij nuk ka as një shprehje apo frymë trajtimi preferencial për një qeveri apo forcë të caktuar politike shqiptare.
X. Nëse 100 vjet më parë ndjenja proamerikane mes shqiptarëve ishte e fragmentarizuar, më tepër ekzistonte në jug të vendit sesa në veri të tij, më shumë artikulohej në qarqe të arsimuara e qytetare se sa në radhët e popullit të thjeshtë e në provinca, sot nuk ekziston një dallim i tillë. Amerika është kryefjala në preferencat e të gjithë shqiptarëve. Jo vetëm në dëshirën e tyre për të emigruar në Shtetet e Bashkuara që nuk është shumë për t’u gëzuar. Është një simpati proverbiale që rilindi në shpirtin e shqiptarëve e që u rrit si një pemë e harlisur natyrshëm e që i ka bërë ata popullin më proamerikan në Evropë.