Tetë punonjësve rusë iu anulua akreditimi në Bruksel. NATO i akuzon ata për spiunazh. Tani Rusia mbyll përfaqësinë e saj në NATO.
Pas përjashtimit të tetë punonjësve rusë, Rusia e ka mbyllur përkohësisht përfaqësinë e saj në NATO në kuartierin qendror në Bruksel. Edhe përfaqësia e aleancës ushtarake në Moskë do të mbyllet përkohësisht, vuri në dukje ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në Moskë. Ky deklarim i Lavrorit shkaktoi pështjellim në Bruksel. „Ne jemi në dijeni për deklaratat e ministrit Lavrov në media, por nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar lidhur më këto tema”, tha zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu. Lavrov më parë pati deklaruar, se aleanca është informuar për këtë hap të Rusisë.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas e quajti këtë vendim „më shumë se sa për të të ardhur keq”. Ky veprim do ta rëndojë edhe më shumë raportin gjithësesi të vështirë mes Moskës dhe Perëndimit, tha ministri Maas në përgjigje të pyetjes nga DW në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg.
Në fillim të muajit NATO nën akuzën për spiunazh i anuloi akreditimin tetë anëtarëve të përfaqësisë ruse në Bruksel dhe i shpalli ata persona të padëshiruar. Personat në fjalë akuzohen, se „janë punonjës të kamufluar të shërbimit sekret rus”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg akuzoi Rusinë për „aktivitete dashakeqe”. Moska reagoi me kritika të ashrpra.
Marrëdhënie të trazuara
Moska akuzon NATO-n, se po e zgjeron influencën në drejtim të kufijve rusë. Në të kundërt aelanca ushtarake deklaron, se në sfondin e aneksimit të Krimesë ukrainase nga Rusia ajo është duke forcuar vendet anëtare të saj në Lindje.
Aleanca ushtarake në vitin 2018 u hoqi akreditimin shtatë anëtarëve të përfaqësisë ruse. Ky hap pasoi asokohe si reagim ndaj sulmit me helm kundër ish-agjentit të dyfishtë rus Sergej Skripal në Britaninë e Madhe, për të cilin Perëndimi bën përgjegjëse Moskën.
Stërvitje për sulm atomik
Ushtarët nga Gjermania dhe 13 shtete të tjera të NATO-s të hënën (18.10) nisën stërvitjen e tyre vjetore për mbrojtjen e territorit të aleancës me armë atomike. Sipas të dhënave të Brukselit në stërvitjen e emërtuar “Steadfast Noon” marrin pjesë një duzinë avionësh. Ndër ta janë edhe avionë luftarakë me kapacitete për armë atomike si dhe avionë konvencionalë, vrojtues dhe furnizues, thuhet më tej.
Stërvitja sivjet zhvillohet në hapësirën mbi territorin jugor të aleancës. E ashtuquajtura pjesëmarrje nukleare e NATO-s parashikon, që armët atomike të SHBA-së të dislokuara në Europë në rast nevoje mund të lëshohen edhe nga avionët e shteteve partnere në mënyrë që të neutralizojnë forcat luftarake të kundërshtarit./DW/