Dje raportoi për arrestimin e mjekut ortoped të Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Sabit Sllamniku, për shkak të dyshimeve se ka marrë ryshfet nga një pacient, shkruan Sinjali.
Pacienti i cili është në karrocë të invalidëve (emër i njohur për redaksinë) kishte shkuar te Sllamniku për ta bërë vlerësimin e shkallës së invaliditetit.
Mirëpo, ortopedi me gradën Doktor Shkence dyshohet se ia ka kërkuar atij 300 euro ryshfet, për t’ia kryer shërbimin e kërkuar.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë bëjnë të ditur se Sllamniku, si anëtar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në Prishtinë, ia kishte kërkuar pacientit të tij këtë shumë, që parashihej të ndahej me dy anëtarët e tjerë të këtij komisioni.
Pjesën e tij, prej 100 eurove, Sllamniku dyshohet se e mori dje në vendin e tij të punës në QKUK, rreth orës 08:30, e cila ishte shumë e simuluar me qëllim të kapjes së tij në flagrancë.
Rreth orës 09:00 ai u ndalua dhe u kontrollua nga policia, të cilët ia gjetën dhe ia konfiskuan paratë që ia kishte marrë pacientit.
Këto burime bëjnë të ditur për Sinjalin se prokuroria është në përgatitje të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj mjekut ortoped Sllamniku.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.