Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar një aksion sot në Shtërpcë, i cili rezultoi me arrestimin e dhjetë personave të dyshuar për marrje të ryshfeti, dhënie të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Aksioni i cili është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ka vënën në pranga edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës.
Përveç tij, janë arrestuar edhe drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë tjerë dhe pronarë të firmave, të cilët dyshohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.