Zëvendësndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropë, Matthew Palmer, në kuadër të konferencës së parë ndërkombëtare në Forumin e Prespës për dialog, në Ohër, ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Palmer ka thënë se qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet lëvizja e lirë.
Ai përsëriti deklaratën e ministrit gjerman për Punë të Jashtme, Heiko Mas, duke theksuar se BE duhet të qëndrojë pas detyrimeve ndaj rajonit.
“Kjo përfshin edhe avancimin në bisedimet për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe mundësimin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha mes tjerash Palmer.
Palmer po ashtu foli edhe për rolin e SHBA-së në rajon, duke theksuar se vizioni i saj në rajon, ka qenë dhe do të mbesë, paqja ndërmjet fqinjëve, rajon të sigurt, me prosperitet dhe i integruar në kornizën euroatlantike.