Pas distancimit dhe dënimit të gjuhës denigruese që profesori i Fakultetit të Filozofisë, Ardian Kastrati, përdori ndaj presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se këtë çështje e ka dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës.
Këshilli i Etikës është organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga Senati, me qëllim të trajtimit në mënyrë meritore dhe sipas ligjit, çështjet e tilla brenda UP-së.
“Meqenëse puna në Universitetin e Prishtinës bazohet në vlerat themelore të arsimit të lartë, jemi të përkushtuar që mjedisi universitar të jetë i sigurt, nxitës, pa diskriminim dhe respektues i plotë i të drejtave të njeriut”, thuhet në një njoftim për media.
Kastrati, i cili është edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka cituar pjesë të një përshkrimi satirik të shkrimtarit Faik Konicës, drejtuar Vjosa Osmanit, ditën kur ajo u zgjedh presidente e vendit.
Kastrati në një postim në Facebook, ndonëse nuk ka sqaruar nëse postimi i tij ka cak ndonjë figurë të caktuar publike, ka bullizuar me pamjen e jashtme të presidentes, nëpërmjet vargjeve të Konicës: “…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”.