Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka refuzuar ftesën e presidencës për të marrë pjesë në inaugurimin e Vjosa Osmanit.
Hoxhaj tha se do të merrte pjesë vetëm në rast se ish-presidenti Hashim Thaçi do ta bënte dorëzimin e detyrës së tij si president i vendit.
“Refuzova pjesëmarrjen sepse Vjosa Osmani nuk është presidente unifikuese, por përçarëse dhe partiake. E zgjedhur si presidente në një mbrëmje të ftohtë, të mbushur me pazare të minutave të fundit, të cilat, sikur të mos mjaftonin, ishin caktuar që të kryheshin nga njerëz të Listës Serbe dhe struktura të ish-regjimit”, tha ai.
Lidhur me këtë analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se refuzimi i ftesës nga Hoxhaj është i turpshëm dhe pa kode politike opozite, e që nuk dallon as nga veprimet politike të Listës Serbe.
Sipas Mehazit, më mirë do të ishte ta thoshte se arsyeja e refuzimit të ftesës ishte për shkak të shkuarjes në Hagë, ish-presidenti Thaçi.
“Pas vërsuljes së turpshme të Ardian Kastratit të PDK-së ndaj presidentes Vjosa Osmanit, ja dhe një sihariq tjetër i shëmtuar nga Kryetarit i PDK-së, Enver Hoxhaj ndaj Vjosa Osmanit. Refuzimi i ftesës me rastin e inaugurimit solemnë të Vjosa Osmanit si presidente nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj është i turpshëm e pa kode politike opozitare, që nuk dallon assesi nga veprimet politike të Listës Serbe. Arsyetimi i tij politik shumë më i sinqertë do të ishte sikur në vend të fjalëve: “se do të merrte pjesë vetëm në rast se ish-presidentit Hashim Thaçi do ta bënte dorëzimin e detyrës së tij si president i vendit.” , të thoshte, se për shkak të shkuarjes në Gjykatën Speciale të Hagës së ish-presidentit tonë, Hashim Thaçit, nuk morëm pjesë e refuzuam ftesën e inaugurimit te Vjosës si president”, tha ai.
Madje si arsye tjetër, sipas Mehazit mund të kishte qenë që Hoxhaj të thoshte se nga humbja janë të hidhëruar, por të mos deklaronte që Osmani është bërë presidente e mbushur me pazare në minutat e fundit.
“Shumë më e arsyeshme të arsyetonte refuzimin e ftesës së Vjosa Osmanit me fjalë, se janë të hidhëruar pa masë pse kanë humbur e janë në opozitë, sesa të thoshte, se, Vjosa Osmani është “e zgjedhur si presidente në një mbrëmje të ftohtë, të mbushur me pazare të minutave të fundit”. Le të na tregojë Hoxhaj, si ish-kryetari i tij, Hashim Thaçi, para katër viteve u zgjodh president i shtetit, me sa deputetë të PDK-së?, “a s’pati pazare të minutave të fundit” partia e PDK-së me partitë tjera, por dhe me Listën Serbe për t’u bërë president Thaçi gjatë herës së tretë të votimit me 61-2 deputetë, kundruall Vjosa Osmanit që mori 300 mijë vota nga qytetarët e Kosovës”, deklaroi Mehazi./Bota Sot/