Profesori universitar Enver Bytyçi, ka reaguar ndaj ish liderit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se Vjosa Osmani gjendet rastësisht në detyrën e presidentes së vendit.
Përmes një postimi në Facebook, ai i ka kujtuar Mustafës se si është zgjedhur Osmani presidente me votat e qytetarëve dhe jo të Listës Serbe e me presion ndaj deputetëve, sikur ishte zgjedhur Hashim Thaçi, përcjell Bota sot.
Ai ka porositur Mustafën që të matet para se të flas.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Isë, matu burrë kur të flasësh!
Ish kreu u Lidhjes Demokratike deklaroi sot se Vjosa Osmani gjendet rastësisht në detyrën e presidentes së vendit. Më duhet që zotit Mustafa t’i kujtoj si më poshtë:
1. Zonja Osmani mori në zgjedhjet e përgjithshme më shumë se 300 mijë vota. Ju kurrë nuk i kishit parë në ëndërr kaq vota. Në këtë kuptim atë e zgjodhi presidente vetë populli i Kosovës. Aq më tepër për faktin se ajo ishte shpallur në fushatë si kandidate për presidente të vendit! Pra Vjosa është presidente në respekt të vullnetit qytetar.
2. Vjosa Osmani është presidente e legjitimuar në parlament. Ndryshe nga miku e ish-kandidati juaj, Hashim Thaçi, ajo nuk u zgjodh me votat e Listës Srpska. As me votat e PRONTO-s, as me votat e nja katër deputetëve të tu në LDK, bashkëpunëtorë të PRONTO-s! Ky lloj legjitimiteti nuk ka ekzistuar më parë.
3. Para dhe gjatë ushtrimit të detyrës si presidente, ndryshe nga ju, Vjosa Osmani shfaqi një integritet politik e moral të jashtëzakonshëm. Nuk pranoi të bashkëpunonte me krimin e organizuar e të mafies politike në Kosovë. Nuk pranoi të votonte kreun e narko-shtetit në Kosovë! Nuk pranoi të votonte edhe shumë marrëveshje tuajat me Serbinë si dhe ligje të tjera që binin kundër interesit të qytetarëve!
4. Ndryshe nga disa paraardhës të saj, përfshirë dhe Hashim Thaçin e votuar prej jush, Vjosa Osmani kishte dhe ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian për të qenë në atë detyrë fisnike e të rëndësishme!
Duhet të kesh integritetin dhe dinjitetin e Vjosa Osmanit ose më shumë se aq, që të marrësh atributin e së drejtës për ta klasifikuar atë. Ajo nuk është presidente aksidentalisht në krye të shtetit të Kosovës!
Prandaj zoti Mustafa, matu burrë kur të flasësh, sidomos për gra më të dinjitetshme sesa shumë e shumë burra!