Ndonëse, teorikisht, marrja e pushtetit me çdo kusht dhe mbajtja sa më e gjatë e tij njihen si qëllime kryesore të partive politike, megjithatë, qëllimet në fjalë duhet të kuptohen brenda kontekstit politik demokratik të vendit dhe nuk mund të përbrendësohen të shkëputura nga konteksti i interesave madhore kombëtare.
Shkruan: Valdrin Ferizi
Interesi Kosovës në këtë faze është që të këtë Qeveri të qëndrueshme dhe opozitë bashkëpunuese konstruktive përshtatur me agjendën urgjente të integrimeve.
Në të kundërtën, organizimi i një shumice parlamentare për rrëzimin e qeverisë, përveç që do t’i ndërpriste proceset integruese edhe ashtu të vonuara, do ta ri-fuqizonte ndikimin e Listës Serbe, e cila, siç e dimë, është instrument kryesor i Beogradit për pengimin e proceseve shtet-formuese të Kosovës dhe destabilizimin e saj.
Rrëzimi i Qeverisë në këtë fazë nuk do t’i konvenonte askujt me shumë sesa Listës Serbe, e cila po vuan me shumë se kurrë mungesën e ndikimit dhe fuqisë politike të dhuruar nga qeveritë e kaluara ndër vite.
Duke parë rrjedhën e luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës konsiderojë që skena politike në Kosovë duhet jetë me e bashkuar se kurrë me parë duke vënë në rend të parë interesin nacional para çdo interesi tjetër partiak duke ju shmangur me çdo kusht konvergjencës me Listën Serbe.
Në anën tjetër zgjedhja e opozitës qe të merret me përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë, në vend të reformimit përmbajtjesor të tyre i cili do t’i bënte ato alternativë konkurruese në zgjedhjet e ardhshme, është një gabim fatal i cili do t’i kushtonte edhe me keq sesa në zgjedhjet e kaluara.
Përveç tjerash, përpjekja për rrëzimin e Qeverisë vë në dyshim seriozitetin e deputetëve tanë para bashkësisë ndërkombëtare e cila në vazhdimësi bënë thirrje për stabilitet politik në mënyrë të veçantë në kontekst të luftës së Rusisë në Ukrainë.
PhD Cand. Valdrin Ferizi
Autori ndjek studimet PhD në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pranë Universitetit Necmettin Erbakan në Konya të Turqisë.