Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është deklaruar pas konstituimit të qeverisë me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e thirrur për votimin e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Hoxhaj është deklaruar para medieve se nuk do merret me çështjen e kushtetutshmërisë së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, si kryeministër, teksa ka pasur kritika për të.
“Nuk dërgon asgjë në Gjykatë që ta kontestojë mandatin e z. Kurti, i cili nuk ka pasur drejtë të kandidojë për deputet, e i cili është zgjedhur sot kryeministër. Nuk dua ta përdor Gjykatën Kushtetuese si instrument për ta bllokuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka përmendur edhe emrin e Murat Jasharit si kandidat për president të Kosovës, për të cilin ka thënë se është një kandidat briliant, mirëpo që PDK’ja nuk ka ndonjë propozim për këtë post.
“Mënyra se si u zgjodh kjo qeveri, është një fazë e re e jo-stabilitetit, e pa-qartësisë, e mjegullës. Kjo ndërtesë (Kuvendi i Kosovës) ka qenë objekt i dhunës, i përplasjes, ia përmenda z. Kurtit rastin e Joschka Fischer, i cili ka kërkuar falje për dhunën e ushtruar ndaj policisë gjermane, në atë se çfarë ka bërë më herët. Unë mendoj se një kryeministër do duhej ta pajton popullin”, është shprehur tutje Hoxhaj.
Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, është konstituuar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin. Ndërkaq, me 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim, si Kryetar Kuvendi u përzgjodh Glauk Konjufca.