APEL!
Kryeministrit të Kosovës, Z. Albin Kurti!
Mbrëmë në një emision televiziv u paralajmërua se do të ketë sërish arrestime të ish-krerëve të UÇK-së. Posa dëgjova këtë lajm, para syve të mi filluan të dalin imazhet e shëmtuara të arrestimeve spektakolare të prijësve politik të vendit, ish-komandantë të ushtrisë sonë çlirimtare. Ato imazhe të rënda pastaj u shpërndanë nëpër media e rrjete sociale, aq më keq, morën dhenë nëpër botë ku UÇK-së së lavdishme i qitën një hije të rëndë sikur të kishte qenë vërtetë organizatë kriminale. E kjo, natyrisht se i gëzoi armiqët UÇK-së, të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.
Nuk jam jurist e as i njoh ligjet që kanë të bëjnë me arrestimet. Por, për aq sa kam lexuar dhe konsulltuar njohës të këtyre çështjeve, si qytetar i lirë i këtij vendi i bëjë APEL Qeverisë së Kosovës me sa vijon:
Kryeministër i vendit, Z. Albin Kurti!
Mos lejoni arrestimin e shqiptarëve në mënyrën siç është bërë më parë. Mbroni me të gjitha mjetet e mundshme dhe bëjeni atë që është më dinjitozja për ta. Nëse është nevoja, atë punë ta bëjë Policia e Kosovës pa spektakle dhe pa i qitë hije të zezë emrave që eventualisht duhet të shkojnë në Hagë. Mbrojeni dinjitetin e ish-ushtarëve dhe komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
I nderuari Z. Kryeministër!
Të nderuar përgjegjës të shtetit të Kosovës!
Po lejuat atë që gabueshëm e lejuan qeveritë e kaluara, ju do të bëni dy mëkate të pashlyera në historinë e Kosovës:
1.) Emrat tuaj do të mbeten përgjithmonë në listën e njerëzve që shkelën mbi dinjitetin e qytetarëve të këtij vendi, e në rastin konkret, sikur të tjerët më parë;
2.) Më nuk do të keni të drejtën t’i thuani qytetarëve se jeni ndryshe nga të kaluarit. Qytetarët e Kosovës nuk do të ju besojë më se jeni për ndryshime.
Më mbanë shpresa se jeni ndryshe dhe ndryshe e më mirë do ta menaxhoni vendin.
Me shumë respekt:
Mustafë Bajrami, qytetar i Kosovës dhe ish-ushtar i UÇK-së…!