Fitorja mbi 50% e Vetëvendosjes, përveç tjerash, Kosovës ia solli edhe këtë të mirë: Listën Serbe e amortizoi dhe e bëri të parëndësishme për vendime me peshë në politikën kosovare.
Shkruan: Mustafë Bajrami
Deri më sot, Lista Serbe shumë herë ka penguar procese duke shantazhuar qeveritë e kaluara me votime të kushtëzuara, me tërheqje nga qeveria e duke kërkuar favore në dëm të vendit.
Fitorja e sotshme e qeverisë Kurti është fitore e gjithë Kosovës. Ajo i atribuohet qëndrimit të qeverisë e sidomos koordinimit fenomenal midis tri institucioneve më të larta politike të vendit; Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë. Gjithsesi, falë edhe mbështetjes që i dhanë dy partitë opozitare, LDK dhe AAK si dhe partitë e pakicave, Kryeministri Kurti ka pse të krenohet me këtë fitore. Me rëndësi është që tani e tutje kjo fitore të “përkthehet” me mençuri në gjuhën e diplomacisë, dhe, domosdo të shfrytëzohet mirë në dialogun me Serbinë.
Vendimi i dalë sot nga Kuvendi i Kosovës ka shkaktuar dridhje e trauma serioze në Serbi. Mediat e atjeshme s’po mund të gjejnë fjalë për ta arsyetuar momentin e rëndë për Serbinë. Vuçiq tërhiqet nga ajo që insistonte dhe këshilloi serbët e Kosovës të votojnë nëpër qytete serbe afër Kosovës.
Nga ana tjetër, megjithëqë mediat serbe e shpallën Driton Selmanajn hero dhe i cituan ‘kërcënimet’ e tij se Kosova do t’ia sheh sherrin këtij vendimi, unë personalisht mendoj se ai nuk është as hero e as kurrgjë që mund të lidhet me heroizëm. Siç mendoj edhe për PDK-në që bëri gabim kardinal pse nuk mori pjesë në votimin e sotshëm.
Ka edhe shumëçka të flitet për ditën e sotme. Për to do të shkruaj në ditët në vazhdim…!