Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka reaguar pasi që Kosova, ka vendosur Ambasadën e saj në Jerusalem, vendim ky në linjë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tutje shkruan Rrahmani në Facebook se njohja e shtetësisë nuk mund të blihet duke i bërë padrejtësi një populli tjetër.
“Njohja e shtetësisë nuk blihet në kurriz të tjerëve, nuk blihet duke bërë padrejtësi ndaj popujve. Çdo kush, çdo herë, kudo e kurdo do të korrë atë që ka mbjell”, ka shkruar Rrahmani.
Sipas tij, vendimet e qeverisjeve të kaluara në Kosovë i kanë bërë dëm Kosovës në arenën ndërkombëtare, derisa thotë se të njëjtat janë treguar shkelëse ndaj të dobëtëve dhe servil ndaj të fortit.
“Qeveritë ilegale, qeveritë që punuan kundër interesave të popullit të tyre për 20 vite, nuk mund të mos jenë të dëmshme edhe në arenën ndërkombëtare. Qeveri e qeverisje të tilla janë shkelëse të atyre që janë të dobët, e servil ndaj të fortit”, ka shkruar Rrahmani në Facebook.
Reagimi i plotë:
Atë që e bënë me Palestinën, tash e 22 vite e kanë bërë me Kosovën.
Këto qeveri e qeverisje për 22 vite u kanë bërë dëme qytetarëve e vendit tonë, kanë hapur shumë “ambasada serbe” në Kosovë.
-ZAJEDNICA, e cila është provuar të formohet nga pushtetarët servilë e të korruptuar.
-DEMARKACIONI, është një tjetër ambasadë në territorin e Republikës së Kosovës.
-Formimi i komunave me shumicë serbe, është hapja e shumë ambasadave në Republikën e Kosovës.
-Vendet e rezervuara janë një tjetër ambasadë serbe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
-Qeveritë ilegale, qeveritë që punuan kundër interesave të popullit të tyre për 20 vite, nuk mund të mos jenë të dëmshme edhe në arenën ndërkombëtare. Qeveri e qeverisje të tilla janë shkelëse të atyre që janë të dobët, e servil ndaj të fortit.
Kjo tregon që këto qeverisje e ky pushtet kur i jepet mundësia edhe mund të bëjnë të padrejta, mund të bëhen mohuese të vërtetës. Një popull që për një shekull luftoi për liri, për drejtësi e pavarësi nuk mund të dalë kundër të drejtës, lirisë dhe demokracisë. Qëndrimet e këtyre pushteteve nuk duhen të jenë qëndrime të popullit i cili më së miri di të tregojë për liri, barazi e drejtësi.
Njohja e shtetësisë nuk blihet në kurriz të tjerëve, nuk blihet duke bërë padrejtësi ndaj popujve. Çdo kush, çdo herë, kudo e kurdo do të korrë atë që ka mbjell.