Rezultati i zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor dhe 14 nëntor, solli një pozicionim të ri të partive në skenën politike.
Për dallim nga zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit ku partitë opozitare pësuan rënie, fitimin e disa komunave ata e interpretuan si rikthim të fuqisë elektorale.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash ishte ai që prodhoi dramë elektorale dhe shkaktoi përmbysje rezultatesh.
Partia e cila udhëheq me Qeverinë, e që në zgjedhjet nacionale kishte fituar mbi 50 për qind të votave nga qytetarët, nuk arriti që ta mbajë këtë rezultat edhe në këto zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje nga 38 komuna, ka fituar vetëm në katër prej tyre: Gjilan, Shtime, Kamenicë dhe Podujevë. Ajo ka humbur edhe garën për kryeqytetin dhe për qytetin e dytë më të madh të Kosovës, Prizrenin.
Ky rezultat i dobët nga LVV-ja po shihet si pasojë e shumë faktorëve, kanë vlerësuar analistët.
Analisti, Belul Beqaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se përgjysmimi i elektoratit është pasojë e shumë faktorëve por para se gjithash perceptimit të gabueshëm të vullnetit politik të votuesve që votuan ndryshimin e madh në shkurt të 2021 nga ana e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Përgjysmimi i elektoratit është pasojë e shumë faktorëve por para se gjithash perceptimit të gabueshëm të vullnetit politik të votuesve që votuan ndryshimin e madh në shkurt të 2021 nga ana e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Ata përvetësuan fitoren plebishitare, e cila në fakt ishte aproksimativisht 50 % reagim i zhgënjimit ndaj ish pushteteve, ndërsa vetëm 50% mbështetje ndaj Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes që shihet me faktin se i njëjti elektorat e përgjysmoi pas tetë muajve mbështetjen ndaj kandidatëve të VV në zgjedhjet lokale që ishin më shume lojal ndaj Kurtit se sa personalitet që mbështetën nga mjediset e veta”, tha Beqaj.
Beqaj më tej shtoi se gabimet që bëri LVV-ja e që në fund u ndëshkua nga elektorati ishte qasja jo reale ndaj problemeve të brendshme dhe ndërkombëtare.
“Qasja jo reale ndaj problemeve reale, të brendshme dhe ndërkombëtare. Skenim i gabueshëm i prioriteteve që shkaktoi, agjendat jo adekuate, përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë lojal ndaj liderit pa mbështetje adekuate të mjediseve të votave, dhe fundja, arroganca e panevojshme ndaj opozitës. Në vend se Qeveria të merret me pasojat e ish pushteteve, ajo filloi të ofendojë dhe provokojë opozitën e cila e priti momentin e zgjedhjeve lokale për të ju hakmarrë”, theksoi Beqaj.
Edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, vlerëson se shkaktarët e këtij rezultati të LVV-së në zgjedhjet lokale ishin premtimet e mëdha e që nuk u realizuan, arroganca në qeverisje dhe kandidatët me mungesë të integritetit.
“Premtimet e mëdha që i ka dhënë Vetëvendosja dhe pamundësia për t’i realizuar ato premtime, arroganca në qeverisje, pastaj edhe një kategori e kandidatëve që i ka nxjerrë që thjesht kanë pasur mungesë të integritetit për shkak se kanë çaluar edhe në partitë tjera politike ku edhe LVV ndaj tyre ka folur fjalë të këqija, pastaj kthimi që ata kandidatë t’i bëjë super të mirë, mendoj që krejt këta faktorë kanë ndikuar që Vetëvendosje në këto zgjedhje lokale me pas një rezultat tejet të dobët”, tha Demhasaj në një prononcim për Telegrafin.
Ai më tej shtoi se përmbysja e rezultatit në Prishtinë ndodhi për shkak të paraqitjes së mirë në debate të kandidatit të LDK-së, Përparim Rama dhe mbështetjes që iu dha atij nga elektorati i partive tjera politike.
“Në Prishtinë mendoj që janë dy arsye. E para, kandidimi i z.Vitia si ish- ministër i Shëndetësisë ku ai u kyç në mes të fushatës në garë, dhe kohëve të fundit e dimë që nuk kishte shkuar mirë çështja e menaxhimit të pandemisë, sidomos me variantin Delta ku ka pas shumë të infektuar dhe të vdekur, dhe mendoj që kjo ka pas efekt. Në raund të dytë patëm një paraqitje të mirë në debate të kandidatit të LDK-së, Përparim Rama por edhe orientimi i partive tjera politike apo elektoratit të tyre drejt Përparim Ramës bëri që Vetëvendosje të ndëshkohet në Prishtinë”, u shpreh Demhasaj.
Ndryshe, një ditë pas balotazhit, kryeministri Kurti komentoi rezultatin e partisë, teksa ka uruar të gjithë kryetarët që fituan.
Ai pranoi se rezultati jo i kënaqshëm i VV-së është si pasojë e disa defekteve të brendshme dhe “bashkimit të të gjithë të tjerëve kundër VV-së”.
“Administrimi i procesit zgjedhor të balotazhit nga KQZ-ja ishte shumë i mirë. I uroj të gjithë kryetarët e komunave të cilët u zgjodhën dje. Ata do të kenë shumë beteja dhe punë në përballje me krimin e korrupsionin, posaçërisht në fushën e ndërtimit të egër, ku paratë tona po shpërlahen duke shkaktuar ndërtim të egër. Unë do të bashkëpunoj me ta. Rezultati jo i kënaqshëm vjen si rezultat i defekteve të brendshme si dhe i bashkimit të të gjithë tjerëve kundër VV-së”, ka thënë Kurti.
Analisti Belul Beqaj ka thënë se LVV-ja për të përmirësuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve duhet të ballafaqohet me këto defektet e brendshme, të cilat i përmendi edhe vetë Kurti.
“Nëse dëshirojnë të mos e humbin mbështetjen tonë publike dhe shpresën për ndryshim të madh Albin Kurti dhe LVV duhet të ballafaqohet me shkaqet e brendshme të cilat i përmendi lideri i VV, duke nisur nga përgjegjësia e tij dhe duke ruajtur ndershmërinë e cila deri më tashti nuk shkaktoi asnjë skandal të përmasave të mëdha, që ka qenë karakteristikë e përditshme te ish pushteteve”, tha Beqaj.
Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje fitoi në nëntë komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës, në shtatë komuna. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në pesë komuna. Lëvizja Vetëvendosje në katër, dhe Nisma Socialdemokrate në një komunë. Kurse Lista Serbe ka fituar në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe. /Telegrafi/