Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.R., i akuzuar për “vrasje” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të pandehurit D.K. i akuzuar për “mashtrim” dhe të pandehurit D.K, A.R.1., F.R. dhe A.R.2. të akuzuar secili veç e veç për “pjesëmarrja në rrahje”.
A.R është dënuar me 16 vjet burgim për dy veprat penale që i vihen në barrë.
A.R.1 është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vjet burgim.
F.R. është dënuar gjithashtu me 2 vjet burgim.
A.R.2. gjykata i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj.
Ndërkaq, D.K. është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, si dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.
Sipas aktakuzës, A.R., më 28 shkurt të vitit 2018 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.H., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumë prej 60.000 euro, lidhur me një veturë të markës BMW-X5 të cilin i pandehuri i kishte shitur D.K., me ndërmjetësimin e tani të ndjerit, e të cilin borxh D.K. sipas marrëveshjes është dashur ta paguajë deri me datën 28.02.2018.
“I pandehur i shoqëruar me axhën dhe dajën e tij kanë shkuar në Prishtinë për ta kërkuar borxhin, mirëpo D. ju thotë se do të vijë në Ferizaj për ta paguar borxhin, kështu që ata janë kthyer ne kafiterinë e tyre, kurse D. dhe i ndjeri B. kanë arritur në të njëjtin vend më vonë me ç’rast D. iu thotë se ‘ju ma keni shqetësuar familjen qe keni ardhur te shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti’, kështu që i pandehuri së bashku me babanë dhe vëllezërit e tij (pjesëmarrës në rrahje), janë revoltuar dhe ka filluar fyerja reciproke mes tyre, kurse F. e nxjerr jashtë tani të ndjerin B.
Mirëpo, B e kishte goditur F. me kokë në pjesën e hundës dhe e kishte rrëzuar në tokë. Atëherë, nga kafeneja kishin dalë edhe i pandehuri A.R, A.R.1. dhe A.R.2. dhe rrahja kishte filluar.
B kishte filluar të ikë, por A.R. e kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, me ç’rast njëra predhë e kishte goditur në pjesën e nëngjurit të këmbës së majtë, kurse predha tjetër në regjionin e shpinës, duke dalë në buzën e poshtme të gojës dhe duke e shqyer arterien karotide të majtë.
Me këtë rast, tani i ndjeri ishte rrëzuar në skaj të rrugës dhe në gjendje të shtrirë i pandehuri së bashku me babanë dhe vëllezërit e tij fillojnë ta godasin me shqelma në të gjitha pjesët e trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore, kurse si pasojë e gjakderdhjes, i ndjeri B.H. ndërron jetë në vend të ngjarjes.
I pandehuri D.K. akuzohet se më 1301.2018 në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka mashtruar pronarin e autosallonit A.R.1., në atë mënyrë që ka lidhë një kontratë për blerjen e automjetit “BMW X5.30 Xdrive, për çmimin prej gjashtëdhjetekatërmijë (64.000.00)€, me ç’rast ka paguar 4.000 euro kurse shumën tjetër është dashur ta paguajë me 28.02.2018.
Mirëpo, sipas aktakuzës, i pandehuri veturën e ka shitur, kurse paratë nuk ia ka paguar në afatin e caktuar, por ka shkuar te i dëmtuari kinse për të kërkuar afat shtesë, me ç’rast ka filluar të fyej, me arsyetimin pse i kane shkuar te shtëpia për të ia kërkuar borxhin duke ju thënë “se këtë punë nuk e lanë as prifti as hoxha”, kështu që ka filluar konflikti fizik ne mes tij dhe të dëmtuarit ku janë përfshirë edhe vëllezërit dhe babai i të dëmtuarit dhe shoku i tij B. i cili ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.