Pas zgjedhjeve të djeshme, ambasada amerikane shkruan se SHBA-ja qëndron krah Kosovës dhe mezi pret të punojë me qeverinë e re, përcjell Gazeta Mejdani.
Ambasada amerikane në Kosovë ka shkruar pas mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, në të cilat doli e para Lëvizja Vetëvendosje.
Në një postim të publikuar në Twitter, ambasada amerikane thotë se do të punojë me Qeverinë e re, sapo ajo të formohet.
“I përgëzoj qytetarët e Kosovës, që dëshmuan përkushtimin për demokraci dhe vizion të së ardhmes. Amerika qëndron krah Kosovës dhe mezi pret të punojë me Qeverinë e re, sapo të formohet, në qëllimet e përbashkët për paqe, drejtësi dhe prosperitet”, thuhet në postimin twitter.
Sipas rezultatit nga numërimi i 99.25 për qind e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje po prin me 47.89 për qind, duke shënuar kështu fitoren më të thellë të një partie ndonjëherë në Kosovën e pasluftës.
E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 17.3 për qind, ndërsa e treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind.